Ministri Shaqiri për rastin e Ëmblës: Sot ajo është kthyer në klasë, uroj të mos kemi raste të tilla

0
67

Ministri i Arsimit dhe Shkencës në RMV Jeton Shaqiri, ka reaguar për rastin me Ëmblën nga Gostivari, e cila u bojkotua nga prindërit e shokëve të saj, për shkak të sindromit “Down”.

Ministri Shaqiri në Facebook shkruan se “Ëmbla sot është kthyer në klasë dhe se ndjehet jashtëzakonisht e lumtur”. Ai shpreson që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Nxënësja e klasës së katërt Ëmbla Ademi nga Gostivari nuk e ka ndjerë gëzimin e kthimit në shkollë në ditën e parë të gjysmëvjetorit të dytë, sepse, fatkeqsisht në shoqërinë tonë akoma ka stereotipe dhe paragjykime për personat me nevoja të veçanta. Por, për kënaqësinë time personale dhe akoma më shumë për kënaqësinë e familjarëve të saj dhe mbi të gjitha për kënaqësinë e saj, sot ajo është sërish mes shokëve të klasës dhe jashtëzakonisht e lumtur që vazhdon të marrë njohuri të reja, të përparojë dhe të krijojë miqësi me bashkëmoshatarët e saj. Lumturia në sytë e Ëmblës është lumturia jonë e përbashkët. Fitore e shoqërisë dhe vlerave të vërteta njerëzore. Uroj që situata të tilla të mos ndodhin më”.

 

“Prandaj, ne duhet të vazhdojmë të kontribuojmë në ndërgjegjësimin ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ata nuk janë të ndryshëm nga të tjerët dhe meritojnë qasje të barabartë në arsim cilësor si gjithë të tjerët. Është një e drejtë themelore dhe ne jemi të detyruar ta mundësojmë, të krijojmë kushte në të cilat çdo fëmijë do të zhvillohet dhe realizojë potencialin e tij të plotë. Të dëshmojmë se ngritja e gjithëpërfshirjes së sistemit arsimor është prioriteti ynë kryesor dhe një proces që ne do të vazhdojmë ta zbatojmë. E nderuara Ëmbla , të uroj suksese në shkollimin e mëtutjeshëm. Unë qëndroj pas teje në çdo betejë tjetër!”, ka shkruar ministri Jeton Shaqiri.

Rasti i Ëmblës nga Gostivari, fillimisht u bë publik nga babai i saj në Facebook, i cili shkroi se prindërit e shokëve të saj kanë nisur peticion që ajo të largohet nga klasa./Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here