Fati i presidentit në dorën e ‘Kushtetueses’ – Meta bën publike përgjigjet e 72 pyetjeve

0
78

Presidenti Ilir Meta ka publikuar përgjigjet për 72 pyetjet e drejtuara nga Gjykata Kushtetuese.

Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediat mbrëmjen e një dite më parë tha se do të dorëzojë padi, pasi sipas tij Kuvendi çoi në “Kushtetuese” dokumente false.

Kreu i shtetit theksoi se kemi të bëjmë me një falsifikim të shkresës nga Parlamenti, që sipas tij është një akt i rëndë kriminal.

Në njërën nga pyetjet e Kushtetuese, Meta është pyetur nga gjyqtaret edhe në lidhje me prezencën fizike në zyrat e FRD-së, ku u përplas me policinë bashkiake.

Pyetje: Pse zgjodhi Presidenti të shkojë fizikisht në selinë e një partie politike?

Përgjigje: Është tërësisht në diskrecionin e Presidentit të Republikës të zgjedhë formën se si zhvillon takime, vizita, ndërmerr veprime, apo si ndërvepron me qytetarët, aktorët politikë, apo ata institucionale. Në çdo rast, Presidenti i Republikës, në respekt të ligjit, ka komunikuar për ngjarje apo situata të caktuara me shkrim, apo me praninë e tij të drejtpërdrejtë. Në respekt të plotë të kësaj mënyre veprimi, ligjore dhe institucionale, ka komunikuar edhe në rastin e kësaj ngjarjeje të shëmtuar, të provokuar në mënyrë të paligjshme nga Bashkia e Tiranës, ndaj një subjekti politik, në shenjë hakmarrjeje vetëm për faktin se ishte regjistruar në koalicionin opozitar. Sulmi politik ndaj një partie politike nga policia, sidomos gjatë periudhës zgjedhore cenon interesin publik. Për më shumë, aktet që vërtetojnë veprimet e dhunshme e të paligjshme të Bashkisë Tiranë, i janë bashkëlidhur parashtresave të depozituara.

Pyetjet e Gjykates Kushtetuese dhe Pergjigjet e Presidentit Ilir Meta

Ndërsa Përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj theksoi se Kuvendi falsifikoi datën e urdhrit për thirrjen e seancës plenare për të plotësuar afatet.

Dervishaj tha se Kuvendi shkeli në mënyrë flagrante ligjin, falsifikoi dokumentin për të plotësuar afatin 48 orësh që thotë rregullorja e Kuvendit se duhet plotësuar, për ta çuar në seancë plenare një vendimmarrje të komisioneve parlamentare.

Ai tregoni se më 6 maj 2021 u firmos urdhri për thirrjen e seancës plenare për të miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor. Që të thirrej në këtë datë duhet që raporti për këtë vendim të ishte miratuar 48 orë më parë, pra në datën 5 maj.

Sipas tij mbledhja e Komisionit të Ligjeve është bërë më 6 maj 2021, ndërkohë që në dokumentin e dorëzuar të premten e kaluar është bërë një falsifikim dhe thuhet se urdhri për miratimin e raportit të këtij komisioni është bërë më datë 5 maj 2021.

Dervishaj i cili publikoi edhe dokumentet që sipas tij vërtetojnë këtë falsifikim thotë se këtë urdhër që Kuvendi e dorëzoi në datën 4 shkurt 2022, janë bërë disa ndryshime në thelb.

Për herë të parë në historinë e saj në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë.

Mazhoranca është e bindur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke u bërë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit dhe, duke shkuar më tej, nxitja e dhunës.

Presidenca e nisi mbrojtjen duke kërkuar përjashtimin e të gjithë trupës gjykuese me pretendimin se ishin në konflikt interesi dhe kushte papajtueshmërie për të vendosur në lidhje me këtë çështje. Një kërkesë e tillë u rrëzua si e pabazuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë, votoi pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajësoi atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e tij para dhe gjatë fushatës elektorale, të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas mazhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.

Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e mazhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”

Gjykata Kushtetuese e cila pritet të vendosi për fatin e Presidentit nuk është e plotë, pas mosfunksionimit të saj për rreth dy vjet për shkak të dorëheqjeve të kryetarit dhe një pjesë të mirë të anëtarëve apo nxjerrjes jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu, Gjykata Kushtetuese aktualisht ka 7 nga 9 anëtarë që parashikon Kushtetuta.

Më 9 qershor, me 104 vota pro, Kuvendi i Legjislaturës së kaluar vendosi shkarkimin e Presidentit, ndërsa tani duhet një vendim kushtetues që Meta të shkarkohet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here