Qarkullimi i parave të falsifikuara, ja si mund t’i dalloni nëse nuk janë origjinal!

0
202

Si i dalloni, në prekje apo në maqinë?
“Po edhe në prekje, edhe i kanë disa shenja këtu, paratë janë më të trasha. Po neve i kemi edhe maqinat që na tregojnë, shembull kur numërohen ndalet te kartëmonedha e falsifikuar. Kjo shenja nuk iu vezullon edhe janë të turbullta. Te eurot pastaj ndërron ngjyra të numri 100, dhe janë të gërvishtura, por prap po them te prekja e parave”.


Kështu ky punonjës i këmbimores na shpjegon se si dallohet monedha e falsifikuar. Sipas tij njerëzit që merren me këtë punë e kanë më të lehtë që t’i identifikojnë kartëmonedhat e falsifikuara, por një gjë e tillë nuk është edhe aq e thjeshtë për qytetarët e thjeshtë.

“Njerëzit janë viktimë e parave të falsifikuara sepse nuk i dallojnë, prandaj ne i kontrollojmë me maqinë ose me dorë.
Do të thotë nuk është shumë e thjeshtë të dallohen?
“Nuk është shumë e thjeshtë, sidomos për njerëzit që nuk e punojnë këtë punë është pakëz e rëndë. Por, edhe për ne, nëse nuk e shikojmë mirë, gabojmë dhe e pranojmë.”

Këto ditë në treg janë duke qarkulluar kartëmonedha prej 2000 mijë denarëve të falsifikuara. Nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut megjithatë theksojnë se denarët nuk falsifikohen shpesh dhe se falsifikimi në vendin tonë është relativisht në nivel të ulët. Sipas tyre për këtë shkak edhe ndikimi në ekonominë e vendit është shumë i ulët.

“Në periudhën e fundit, është vërejtur shfaqja e kartëmonedhave të falsifikuara prej 2000 denarë. Megjithatë, duam të theksojmë se falsifikimi në vendin tonë është në nivel relativisht të ulët dhe se lloji i shfaqur i falsifikimit është lehtësisht i dallueshëm, nëse i kushtohet vëmendje kontrollit të elementeve mbrojtëse të kartëmonedhave gjatë trajtimit të parave të gatshme”, vlerësojnë nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut.

Në pajtim me nenin 29 të Ligjit për Bankën Popullore, kjo bankë i mban të gjitha ekzemplaret e falsifikuara, pa i zëvendësuar të njëjtat me origjinal. Në këtë drejtim kryetari i Shoqatës së Klientëve Bankar, Dragi Kushovski thekson se mosrregullimi ligjor i kësaj çështjeje, i shtyn qytetarët që paratë e falsifikuara të vazhdojnë t’i përdorin dhe të njëjtat të qarkullojnë në treg.

“Institucionalisht, qytetari i thjeshtë nuk është i mbrojtur dhe nuk ka mundësi të bëhet këmbimi i parave të falsifikuara me origjinal në rast se bie në kontakt me to, gjegjësisht nëse i përdor në përditshmërinë e zakonshme gjatë blerjes së të mirave dhe shërbimeve. Institucionet duhet të bëjnë ndonjë procedurë apo masë që secili qytetarë që bie në kontakt me kartëmonedha të falsifikuara të dëmshpërblehet”, tha Dragi Kushovski, kryetar i Shoqatës së Klientëve Bankar.

Sipas të dhënave të MPB-së, gjatë vitit 2021 janë paraqitur 42 raste të parave të falsifikuara, prej të cilave 16 kartëmonedha prej 2000 denarë, 73 kartëmonedha prej 100 euro, 9 kartëmonedha prej 100 dollarë, 22 kartëmonedha prej 500 euro dhe 2 kartëmonedha 50 euro janë lëshuar si të vërteta.
Ndryshe, sipas nenit 268 të Kodit Penal kryerësit e veprës penale falsifikim i parave dënohen prej 1 deri në 10 vite burg

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here