Qeveria e RMV-së justifikon ASK-në për shkeljet e Ligjit për Shtetësi

0
50

Qeveria justifikon Agjencinë për Siguri Kombëtare për mosrespektimin e Ligjit për Shtetësi edhe pse në këtë Agjenci për momentin presin mbi 2 500 kërkesa të qytetarëve që të marrin përgjigje për shtetësinë. Në pyetjet e Alsat nëse do të marrin masa për mosrespektimin e ligjit nga ana e ASK-së, Qeveria thirret te standardet e NATO-s, duke shtuar se përgjigjet e zvarritura nga ASK-ja nuk janë tepër të rëndësishme.

“Si anëtare e NATO-s, procedurat janë me standard më të lartë dhe me përfshirje më të gjerë të kontrolleve të cilat natyrisht nënkuptojnë edhe periudhë më të gjatë. Por, periudha kohore është e parëndësishme në krahasim me sigurimin e cilësisë, qasjen përkatëse dhe thelbësore në kontrollet e sigurisë dhe nga kjo metodë ASK-ja nuk do të tërhiqet”, njoftojnë nga Qeveria.

Kjo përgjigje bie ndesh me qëllimin e ligjit të ri, për lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë. Nga ana tjetër, ekzekutivi nuk sqaron nëse janë realisht kontrollet ato që i mbajnë në sirtar të bllokuara kërkesat e qytetarëve, a është paaftësia e ASK-së për të përballuar këtë fluks, dhe a ka vullnet ky organ ti përgjigjet afateve të diktuara në ligj. Neni 7, alinesë 6 e ligjit përcakton qartë se
“Organi përkatës duhet të sjellë vendim më së voni 6 muaj pas aplikimit nga ana e qytetarit”, thuhet në Ligjin për shtetësi.

Nga qeveria nuk japin sqarime as për pyetjen se sa ankesa kanë pranuar nga qytetarët dhe institucionet e tjera për mosrespektim të Ligjit për shtetësinë. Alsat kërkoi përgjigje edhe nga ASK-ja për arsyet e vonesave dhe shkeljet eventuale ligjore, por deri në këto momente nuk morëm përgjigje.

Një qytetar i drejtohet institucionit të MPB-së për aplikim, por nga kjo Ministri arsyetohen se nuk kanë kompetenca për të detyruar ASK-në të japë përgjigje brenda 6 muajve. Nga ana tjetër, nga MPB-ja nuk tregojnë nëse këtë çështje e kanë shtruar institucionalisht, me informata ose urgjenca drejtuar qeverisë që procedurat e qytetarëve të realizohen në kohë.

Të dhënat zyrtare të siguruara nga MPB-ja, falsin se për momentin ASK-ja mban në sirtar 2657 kërkesa për shtetësi. Prej këtyre, 1247 kërkesa për shtetësi janë dorëzuar vetëm vitin e kaluar. Kjo nënkupton se shumica e këtyre kërkesave e kanë kaluar afatin ligjor prej 6 muajve për përgjigje. Për shkak të zvarritjeve me vite të kërkesave për shtetësi, me propozim të opozitës, vitin e kaluar Kuvendi miratoi Ligjin për Shtetësi i cili parashikon lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë, por ligji i ri nuk e anashkaloi diskriminimin që shërbimi sekret bën historikisht ndaj qytetarëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here