Raportimet e mediave për shpenzimet për udhëtime e presidentes, Vjosa Osmani, gjatë kohës sa kjo kishte qenë deputete në Kuvendin e Kosovës, kanë bërë që zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, t’iu vërsulet mediave me një gjuhë të rëndë dhe denigruese.
Sadriu i ka quajtur gazetarët e Kosovës si një “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pasi në media është raportuar se Vjosa Osmani sa kishte qenë deputete kishte shpenzuar për udhëtime në vitet 2012, 2013, 2014 edhe përkundër faktit se në një status të saj publik kishte konfirmuar se në Prishtinë jeton që nga viti 2012.
Një gjuhë e tillë e Sadriut ka nxitur reagime të shumta të gazetarëve dhe shoqërisë civile, dhe duket se një gjë e tillë e ka shtyrë Sadriun që ta fshijë postimin.
Lidhur me shkrimin e Sadriut sot ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët e kanë cilësuar si shqetësuese një gjuhë të tillë që vjen nga një zyrtar i shtetit dhe nga burri i presidentes së vendit./GazetaExpress/