I dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, sot do të jetë në Kosovë.
Peach fillimisht do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke filluar nga ora 10:00 ka njoftuar Zyra e Kryeministrit. Më pas do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ora 11:00.
Paraprakisht i dërguari i Britanisë së Madhe e ka vizituar Serbinë.
Atje është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me kryeministren Ana Bërnabiq e me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Në Serbi, Sir Stuart Peach ka thënë se në rolin e ri si i dërguar për Ballkanin Perëndimor do të bashkëpunojë me përfaqësuesin e BE-së për të mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë drejt gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Gjatë takimit me emisarin britanik Petkoviqi i është ankuar për sjelljen e institucioneve të Kosovës duke e përmendur këtu moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë e moszbatimin e Marrëveshjes së Asociacionit.