Brenda dy jave rajonin e kanë vizituar i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ai i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Britanisë së Madhe, Stuart Peach.
Derisa më 31 janar në vizitë të përbashkët në Kosovë, e pastaj në Serbi ishin Escobar dhe Lajçak, sot në vizitë në Kosovë, pas asaj në Serbi ndodhet i dërguari i Britanisë së Madhe, Peach.
Vizitat e tre të dërguarve për Ballkanin Perëndimor pritet t’i japin shtytje dialogut Kosovë-Serbi.
I dërguari i SHBA-së, Escobar gjatë qëndrimit në Kosovë theksoi se SHBA mbështet fuqishëm sovranitetin e Kosovës dhe se duhet të gjenden modele që nuk dëmtojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës.
“Ne nuk jemi pjesë e dialogut nuk jemi pjesë e negociatave por siç tha z.Lajcak ne besojmë që të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen, megjithatë ne nuk kemi ardhur këtu me ndonjë propozim se çfarë duam të imponojmë, ne po u kërkojmë të dyja palëve të tregohen konstruktive dhe të na tregojnë vizionet e tyre sesi duhet të duket Asocioacioni dhe të vazhdojmë nga aty brenda kornizës së dialogut”, ishte shprehur Escobar.