Pak histori në prag të një lufte

0
72

Nëse veç ndodhë lufta, oficeri i lartë i Biden, gjenerali, Mark Milley, ka paralajmëruar se shkalla e dëmeve do të jetë jashtëzakonisht e madhe dhe lufta në zonat urbane do përbëj një horror. Në Ukrainë janë më pak të shqetësuar për situatën dhe presidenti i vendit ka apeluar Perëndimin që të mos “shpërndajë panik”

Telefonata e së shtunës mes Joe Biden dhe Vladimir Putin i ka lënë gjërat aty ku janë – në prag lufte. Zyrtarët amerikanë, që nxorën diçka nga biseda njëorëshe në mes të presidentit amerikan e atij rus, treguan se edhe pas telefonatës situata mbetet në të njëjtin stad, përveç që thonë se Biden e ka paralajmëruar Putin-in se në rast të një pushtimi të Ukrainës pasojat për Rusinë do jenë të tmerrshme. Sa i besojnë amerikanët tërheqjes se Rusisë pas këtij “kërcënimi” flet fakti që personelit të vet diplomatik – përveç disa zyrtarëve qendrorë – u kanë thënë të largohen një minutë e më parë nga Ukrainë. Gjithashtu të njëjtën kanë kërkuar edhe nga shtetasit amerikanë që gjenden në Ukrainë. Lufta, tani, mund të jetë larg/afër vetëm pak ditë dhe po bëhen përpjekje për ta stopuar, por të gjitha palët e përfshira e kanë ditur shumë moti se në Ukrainë prej kohësh po gatuhej një situatë e tillë

 

Qysh nga shpallja e pavarësisë së Ukrainës dhe shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik, asnjëherë nuk është bërë shumë e qartë se kah qëndron ky shtet dhe e ardhmja përherë ka qenë shumë konfuze për pozicionimin e Ukrainës në rendin e sigurisë në Evropë. Duke qenë një territor tepër i madh – përjashto Rusinë, Ukraina është territorialisht shteti më i madh në Evropë – pavarësia e Ukrainës ishte një nga zhvillimet tejet të rëndësishme gjeopolitike. Siç dihet, Ukraina – si gjeografikisht, si politikisht – shtrihet mu në mes të Rusisë dhe Bashkimit Evropian. Paradoksalisht, ky pozicion për Ukrainën ka nënkuptuar një nga pikat më të forta, por edhe nga pikat më të dobëta të saj. Duke qenë vija ndarëse mes BE-së dhe Rusisë dhe një fqinj i përbashkët, çfarë ndodhë në Ukrainë afekton pothuajse gjithë-kë.

Veçanërisht Rusia e ka nënkuptuar Ukrainën si tejet të rëndësishme. Dikur Zbigniew Brzezinski thoshte se “pa Ukrainën, Rusia pushon së qenuri një fuqi evropiane”. Por, përkundër rëndësisë gjeo-politike që Ukraina ka paraqitur, veprimet në raport me të ardhmen kanë qenë të paqarta dhe inerte, sidomos nga pala Perëndimore.

Kur ndodhi rënia e murit të Berlinit (1989) dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik (1991) filloi një proces i transformimit politik dhe ri-integrimit, por ishin disa shtete – një ndër to Ukraina – që ishte lënë pa të ardhme të qartë politike dhe pa orientim preciz në politikën e jashtme. Ukraina, Gjeorgjia e Moldavia veçanërisht nuk kishin gjetur rrugën e tyre dhe as nuk kishte forca influencuese nga Perëndimi që t’i orientonin drejt një shtegu. Dhe gjatë kësaj periudhe, sidomos gjatë viteve të para, vendet perëndimore, dhe sidomos Bashkimi Evropian që ishte i zënë me telashet e veta rreth organizimit të unionit, nuk u morën pothuajse fare me krijimin e një raporti me Ukrainën. Për më tepër, aso kohe, politikanët evropianë e konsideronin Ukrainën si pak të rëndësishme. Perceptimi në perëndim ekzistonte se Ukraina bie brenda “sferës së influencës ruse”.

Si rezultat i neglizhencës perëndimore, iluzionet e para të ukrainasve për lidhje të afërta me Perëndimin dhe idenë e një afrimi me vendet perëndimore u zëvendësuan me dëshpërim të madh. Sidomos BE-ja, për një pjesë të mirë të atyre viteve të para, madje diku deri në vitin 2005, as nuk luajti dhe as nuk donte të luante ndonjë rol në zhvillimet politike në Ukrainë. BE ndoqi politikën e llojit “Rusia e para” në të gjitha ish-republikat e Bashkimit Sovjetik, duke i munguar kështu vizioni dhe përkushtimi për të zhvilluar instrumente që të ndikojë në politikën e brendshme dhe trajektoren ekonomike të shteteve pasardhëse të BS-së.

Shumë studiues në vazhdimësi e kanë fajësuar këtë politikë të BE-së që i garantoi Rusisë “dominim të lirë” mbi Ukrainën. Dhe kur BE, dikur, filloi duke aplikuar “fuqinë e butë” në Ukrainë, Rusia veçse kishte nxjerrë dhembët ushtarakë. Madje, studiues si Ostap Odushkin, thonë se Ukraina sikur me forcë është detyruar të largohet nga idealet evropiane si demokracia, liria dhe rendi e ligji. Kështu BE-ja në veçanti dhe Shtetet Perëndimore në përgjithësi, veprimet në Ukrainë i kanë pasur më shumë të llojit pasiv dhe gjithmonë është operuar shumë kujdesshëm duke parë fillimisht se “çfarë do të thotë Rusia?”. Prandaj, integrimi euro-atlantik i Ukrainës, sidomos integrimi në BE që për një kohë të gjatë ka qenë prioritet i ukrainasve, vazhdimisht është minuar nga lëvizjet e ngadalta dhe veprimet ambivalente të BE-së duke e lënë situatën të pa sqaruar se çfarë lidhje konkretisht do me Ukrainën. Elitat post-komuniste të Ukrainës gjithmonë janë vënë në hamendje dhe pa mesazh të qartë nga Brukseli në lidhje me integrimin.

Ndryshe nga Perëndimi, vetë Ukraina qysh herët i kishte bërtitur qëllimet e saja se të ardhmen e do në Bashkimin Evropian. Për më tepër, Ukraina kishte shprehur aspirata për anëtarësim që nga viti 1990. Nën presidentin, Leonid Kuchma, integrimin në BE Ukraina e kishte zyrtarizuar si top prioritet të politikës së jashtme.

Vibrimet pozitive të Ukrainës në raport me BE-në kishin vazhduar edhe pas këtij viti dhe jo vetëm te elitat politike, por edhe të vetë populli ukrainas. Sipas një sondazhi që ishte realizuar qysh në vitin 1997, në pyetjen se nëse ishte mbajtur një referendum për t’iu bashkuar Ukraina Bashkimit Evropian a do të votonit pro, apo kundër, 54 për qind ishin përgjigjur se do votonin pozitivisht, derisa vetëm 5 për qind ishin kundër – pjesa tjetër akoma të paqartë. Edhe në vitin 2001 njëjtë. Në një sondazh për anëtarësim në BE, 66 për qind kishin votuar pro. Derisa rreth 80 për qind e elitës politike ukrainase ishte me orientim pro-perëndimor. Por, BE-ja dhe perëndimi, duke neglizhuar Ukrainën krijuan hapësirën e mjaftueshme për më shumë aksion dhe përfshirje nga Rusia. Edhe David Matsaberidze, ekspert i politikave ruse, shkruante se aksionet ushtarake të Rusisë në Gjeorgji (2008) dhe Ukrainë (2014) ishin përgjigje për këtë politikë të butë të perëndimit. Pasi që qëllimi rus ishte/është që të krijojë “tampon zona” në formë të “konflikteve të ngrira”, me qëllim të parandalimit të zgjerimit të perëndimit drejt Ukrainës dhe ish-republikave të tjera sovjetike.

Gjithashtu, mungesa e prezencës së shteteve perëndimore në Ukrainë mundësoi rritjen e përfshirjes së Rusisë në ekonominë ukrainase, veçanërisht në sektorin e energjisë. Duke pasur mbështetje të paktë nga Perëndimi, Ukraina s’kishte zgjedhje tjetër, pos të mbështetej më shumë në Rusinë. Shto edhe faktin se 22 për qind e popullsisë në Ukrainë janë me kombësi ruse dhe 49 për qind e flasin gjuhen ruse, Putin-i e kishte akoma më të lehtë të involvohej në Ukrainë. Prandaj, Rusia është kaq e gatshme që ta çojë situatën edhe në prag lufte meqë e ka të vështirë të humbë çfarëdo influence të krijuar ndër vite në Ukrainë dhe zona të tjera të ish-republikave sovjetike.

A DO KETË LUFTË?

Përkundër situatës, Rusia thotë se nuk ka plane për ta sulmuar Ukrainën. Shefi i Inteligjencës së Jashtme, Sergei Naryshkin, deklarimet për sulm të mundshëm rus i ka quajtur “gënjeshtra të rrezikshme”, të përhapura nga SHBA-të dhe kryeqytetet tjera të shteteve perëndimore. Në anën tjetër, sekretari gjeneral i NATO-s thotë se rreziku për konflikt është tejet i madh. Kurse SHBA-të deklarojnë se pushtimi rus mund të ndodhë nga dita në ditë. Në fjalët e kryeministrit britanik, Boris Johnson, “kjo situatë është momenti më i rrezikshëm në krizën më të madhe që ka parë Evropa me dekada dhe duhet ta zgjidhim si duhet”.

Nëse veç ndodhë lufta, oficeri i lartë i Biden, gjenerali, Mark Milley, ka paralajmëruar se shkalla e dëmeve do të jetë jashtëzakonisht e madhe dhe lufta në zonat urbane do përbëj një horror. Në Ukrainë janë më pak të shqetësuar për situatën dhe presidenti i vendit ka apeluar Perëndimin që të mos “shpërndajë panik”. Dhe shteti francez beson se Rusia thjesht po kërkon një marrëveshje më të mirë. Megjithatë, Vladimir Putin ka kërcënuar me “përgjigje të njëjtë agresive ushtarake” nëse qasja e perëndimit nuk ndryshon. Zëvendës-ministri i Jashtëm i Rusisë e ka krahasuar gjithë situatën me atë të vitit 1962, që sot njihet si Kriza e Raketave në Kubë, kur SHBA-të dhe Bashkimi Evropian ishin fare afër një konflikti nuklear.

JO VEÇ UKRAINA…

Ukraina nuk është as rasti i vetëm dhe as i fundit ku, veçanërisht Bashkimi Evropian, ka qenë i pasigurt dhe i paqartë në politikat e veta karshi shteteve aspiruese për anëtarësim. Mënyra se si funksionon BE-ja gjithmonë vë në dyshim se cili është orientimi i vërtetë i organizatës. Jo njëjtë dhe krejtësisht në konture të tjera, por frustrimi me BE-në ka filluar të vërehet edhe te disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Burokracia shpesh herë e pakuptueshme dhe politikat e paqarta të BE-së edhe në raport me këto shtetet i ka bërë ato të hapura për alternativa tjera dhe për më keq, ka krijuar hapësirë për influenca të tjera – nëse veç ekziston interesi i caktuar. (albanianpost.com)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here