Kryeministri Edi Rama pohoi se Shqipëria, anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka disa “gjëra” siç i quajti, lidhur me Kosovën, por nuk dha shjpjegime për shkak të qenies ende në proces.
Zoti Rama dha konferencë me gazetarët që e përcjellin në vizitën e tij katër ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë kryeministri theksoi që dialogu Kosovë-Serbi të kete një fund siç e përkufizoi të një konflikti të pambarimtë, njoftoi korrespondenti i RTK-së, Denion Ndrenika.
“Nuk dua të nxitohem, as të flas përpara kohe për gjëra në proces. Po i përgatisim dhe me shumë kujdes do të shohim se si mund t’i vendosim në tryezë. Jemi shumë mbështetës, për thellimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës që të arrihet në një përfundim të shumëpritur të këtij konflikti të pambarimtë”, tha kryeministri Rama.
Zoti Rama shtoi se Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken i ka thënë se Uashingtoni mbështet “Ballkanin e Hapur”: “Administrata e re amerikane e ka përqafuar plotësisht, është 100 për qind në mbështetje të Ballkanit të Hapur. Në muajt në vijim do të kemi gjëra të reja në “Ballkanin e Hapur”.
Gjithashtu zoti Rama theksoi se në Këshillin e Sigurimit, Tirana do të shfytëzojë bashkëpenëmbajtjen me Uashingtonin për çështjen e Ukrainës, në të mirë të kombit dhe Ballkanit. “Në rolin e bashkëpenëmbajtësit, ne kemi një avantazh të konsiderueshëm, për të shfrytëzuar hapësirën e re që na jep ky duet me Shtetet e Bashkuara dhe kemi dhe ne planet tona patjetër dhe do të mundohemi të jemi të vlefshëm për çështje me interes të drejtpërdrejtë po themi të vendit tonë, të kombit tonë, që është çështja e qëndrueshmërisë së paqes në rajon dhe e procesit të çuarjes përpara të punëve në rajonin tonë, jo se ne jemi jashtë fare çështjes së konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, se nuk kemi si të jemi jashtë, por çështja jonë e drejtpërdrejtë është çështja rajonale”, tha ai.
Brenda mandatit dyvjeçar deri në 2023 si anëtare jo e përhershme, në qershor 2022 Shqipëria merr Presidencën e Radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Deri në qershor ka kohë, sepse puna e Këshillit të Sigurimit është një punë intensive, e përditshme, dhe çdo ditë sjell gjëra të reja dhe ne në qershor do të rikthehemi këtu, se më saktë do të rikthehemi në New York për atë tjetër moment historik, kur Shqipëria do të ketë presidencën e Këshillit të Sigurimit.
Shqipëria në Këshillin e Sigurimit është diçka që askush nuk kishte kurajën ta imagjinonte as në ëndrrën e vet më të guximshme, vetëm disa vite më parë. Sot Shqipëria është në Këshillin e Sigurimit, ashtu sikundër Shqipëria ishte në krye të OSBE-së”, tha zoti Rama.