Telekomi i Maqedonisë lansoi rrjetin e parë komercial 5G në Maqedoninë e Veriut dhe mundësoi përdorimin e shërbimeve 5G paralelisht dhe në kombinim me 4G, me teknologji të avancuar për përdorim dinamik të radio frekuencave ekzistuese.
Përgatitjet për futjen e teknologjisë 5G filluan në vitin 2018 me demonstrimin e parë laboratorik të 5G dhe në vitin 2019 është ngritur rrjeti i parë i testimit, përmes të cilit u arrit shpejtësia e transferimit të të dhënave prej 1 Gbps, dhjetë herë më e lartë se 4G, përcjell INA.
Telekomi është në mesin e implementimit të rrjetit të ri të qasjes në radio 5G dhe për gjysmë viti ka arritur të sigurojë mbulim me sinjal 5G në 15 qytete dhe rrethinë: Shtip, Veles, Kavadar, Negotinë, Shën Nikollë, Manastir, Prilep, Krushevë, Ohër, Strugë, Resnjë, Strumicë, Radovish, Gjevgjeli dhe Dojran.
Implementimi i 5G në Shkup dhe rrethinë filloi këtë muaj dhe deri në maj të gjithë përdoruesit nga kryeqyteti dhe rajoni më i gjerë i Shkupit do të kenë qasje në shërbimet 5G. Deri në fund të tetorit 2022, 26 qytete në Maqedoni do të mbulohen me pajisje të gjeneratës së fundit.
Rrjeti i Telekomit është i gatshëm të ofrojë internet super të shpejtë gigabit mobil, menjëherë pas përfundimit të procesit të ndarjes së radio frekuencave për brezat e radios 700MHz dhe 3.6GHz nga AEK.(INA)