Shkup, 21 shkurt – Sikurse në Bullgari, ashtu edhe në Maqedoni, kryeministri Bullgar ishte pre e kritikave për veprimin që bëri lidhur me fotografinë nga takimi trilateral mes Kovaçevskit, Petkovit dhe Antoni Blinken, informon Zhurnal.
Në fotografinë e postuar në FB nga Petkov, shihet se ka një person të tretë, i cili është prerë me montim, e ai person është pikërisht kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski nuk dëshiroi të komentojë këtë veprim ndërsa Petkov ka deklaruar se me siguri bëhet fjalë për ndonjë gabim nga PR ekipi.
Ai madje sot reagoi ndaj këtyre kritikave me një fotografi të përbashkët të bërë me Kovaçevskin në Minhen, duke bërë thirrje se nuk do t’i ndalë askush për të ndërtuar marrdhënie të mira dhe kushte më të mira për qytetarët.
“Paramendoni si qytetarët e Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut kënaqen në respektimin e ndërsjellë, respektimin e të drejtave të tyre dhe prosperitetin. Dy vendet në mënyrë aktive promovojnë zhvillimin e kompanive të përbashkëta të cilat krijojnë vlera të shtuara së bashku, të kemi ekonomi të zhvilluara, të kemi kampe të përbashkëta të fëmijëve, të kemi koncerte të përbashkëta, të kemi programe të përbashkëta arsimore, të mos kemi kufij mes dy shteteve, të mos ketë diskriminim, pa gjuhë të urrejtjes, të krijojmë autostrada, të kemi linja moderne të hekurudhave. Për shumë njerëz këto tingëllojnë si një ëndër, madje organizojnë dhe provokime që kjo të mos ndodhë, të tjerë nuk duan stabilitet në Ballkan. Unë dhe Dimitari besojmë se kjo është e mundur dhe nuk do të biemi pre e provokimeve, por do të punojmë së bashku ta arrijmë këtë. Ndërsa palëve dashakeqe mundem vetëm t’u them: Nuk mund të na ndalni!”, ka shkruar Petkov.