Pfizer kërkon miratimin e dozës së katërt për të moshuarit

0
60

Pritet që këtë javë firma farmaceutike Pfizer të kërkojë autorizimin për një dozë të katërt përforcuese të vaksinës kundër kovidit për të moshuarit, sipas një burimi që ka njohuri për çështjen.

Vaksinimi kundër kovidit përbëhet nga dy doza të pasura nga një dozë përforcuese muaj më vonë. Autorizimi për një dozë të kartët do të ofronte mbrojtje maksimale për popullsinë mbi 65 vjeç e cila është goditur më rëndë nga pandemia.

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) duhet të miratojnë kërkesën e firmës Pfizer. Burimi që foli lidhur me kërkesën e firmës Pfizer për autorizim, bisedoi me agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të fliste.

“Vazhdojmë të mbledhim dhe vlerësojmë të gjitha të dhënat e disponueshme dhe jemi në dialog të vazhdueshëm e të hapur me agjencitë rregullatore dhe autoritetet shëndetësore për të ndihmuar në informimin e një strategjie të vaksinës COVID-19 ndërsa virusi evoluon”, tha zëdhënësja e Pfizer, Jerica Pitts.

Duke folur në emisionin “Face the Nation” të kanalit televiziv CBS të dielën, shefi i kompanisë Pfizer Albert Bourla tha: “Tani për tani, në bazë të dhënave, një dozë e katërt përforcuese është e nevojshme tani. Mbrojtja nga doza e tretë është mjaft e mirë, në fakt mjaft e mirë ndaj shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Nuk është aq e fortë përballë infeksioneve, por nuk zgjat shumë. Këto të dhëna po ia dorëzojmë FDA-së dhe të shohim se çfarë do të thonë ekspertët jashtë firmës Pfizer”.

Ndërsa kanë rënë infeksionet me COVID-19 pas shtimit intensiv të infeksioneve me variantin Omicron, ekspertët e shëndetit publik kanë filluar të hartojnë strategji për të ardhmen, për hapat e mëtejshëm që mund të nevojiten, nëse shfaqet një variant i ri.

Fushata amerikane për dozën përforcuese u bazua në prova se efikasiteti i vaksinave, kryesisht kundër infeksioneve më të lehta, po zbehej rreth gjashtë muaj pas dozës së fundit. Thirrjet për një dozë të tretë u shtuan pasi u bë e qartë se vaksinat nuk ishin aq të forta kundër mutacionit Omicron sa ishin kundër varianteve të mëparshme të virusit.

Shumë shkencëtarë thonë se qëllimi përfundimtar i vaksinimit është parandalimi i sëmundjeve të rënda dhe të dhënat e hershme nga CDC-ja tregojnë se vaksinat ende po e kryejnë këtë funksion. Gjatë valës së variantit Omicron, efikasiteti kundër shtrimit në spital ishte në masën 91% për ata që kishin marrë dozën përforcuese dy muaj më herët dhe 78% për ata që e kishin marrë atë katër muaj më parë.

Në Shtetet e Bashkuara, deri më tani, doza e katërt rekomandohet vetëm për ata që kanë një sistem imunitar të dobësuar rëndë, të cilëve në rastin më të mirë u nevojiten tre doza.

Izraeli tashmë ka ofruar një dozë të katërt për grupmoshën 60 vjeç e lart dhe për disa punonjës të kujdesit shëndetësor. Shkencëtarët kanë raportuar rezultate të hershme të përziera që nuk qartësojnë përfitimet që ofroi doza e katërt./VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here