Shkoi një vit, erdhi pranvera: Kurti nuk e viziton SHBA-në

0
65

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka mbushur një vit prej se ka ardhur në karrigën e kreut të ekzekutivit. Vizitat e kryeministrave të mëhershëm në Kosovë sinjalizonin përafrinë e politikave dhe marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në. Kurti po vazhdon tash e një vit t’i jap afat vetes për një vizitë të këtillë, nën pretekstin se “i duhet të qëndrojë 10 ditë atje, sepse shteti është i madh”.

Përditësimi më i fundit i datës së kryeministrit ka qenë periudha e pranverës, pa caktuar ndonjë datë. Për këtë kreu shtetëror i Kosovës është deklaruar dy javë më parë, duke thënë se problemi kryesor i kësaj vizite është i natyrës “logjistike-teknike”.

“Sa i përket vizitës në SHBA, besoj që pengesa kryesore është logjistike-teknike, sepse nuk mund të shkojë për tri ditë atje. Dua të shkoj për 10 ditë ose dy javë, sepse është edhe një shtet më i madh, por edhe takimet që dua t’i bëj atje do jenë edhe më të shumta se sa në Evropë, ku mund të shkosh edhe për dy ditë. Për shkak të situatës në të cilën ndodhemi jemi detyruar ta shtyjmë muaj pas muaj, por nuk vjen në shprehje rishikimi i buxhetit në mes vit pa shkuar unë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe unë jam interesuar shumë dhe kjo do të ndodhë në këtë pranverë. Por, jo vetëm që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Pra, do të shkoj e do të qëndroj më gjatë se sa në vendet e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

Nga Zyra e Kryeministrit kishin paralajmëruar vizitë në “pjesën e parë të vitit të ardhshëm”, në njoftimin se e kishte shtyrë për nëntorin e vitit të kaluar.

“Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse përfshirë Uashingtonin”, thuhej në njoftimin e tyre.

Kryeministri Kurti u pati treguar deputetëve në Kuvend se planifikon që në nëntor të udhëtojë drejt SHBA-së, gjë e cila nuk ndodhi.

Qeveria Kurti ka mbushur një vit sot që nga themelimi i saj, e cila nga SHBA-ja ka mbërritur të refuzojë gypat e gazsjellësit amerikan, si dhe kërkesën e moratoriumit të parashtruar nga Departamenti amerikan i Shtetit. Megjithatë, e njëjta ka ofruar strehë për afganët në kampin ‘Bondsteel’.

Megjithatë, Kurti ka dhënë edhe një datë tjetër gjatë një interviste të tij për 1 vjetorin e qeverisjes. Ai tha se maji do të jetë muaji kur ai do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo është e disata herë që ai ndryshon datën e vizitës në SHBA.

“Do të shkoj besoj në muajin maj. Do të zhvilloj takime me administratën Biden”, tha Kurti.

Mbetet të shihet nëse Kurti do të realizojë këtë vizitë, e cila sipas tij duhet të jetë e gjatë, sepse SHBA-të janë vend i madh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here