Disa ditë më vonë, në kushte pandemie, një ceremoni moderne u mbajt përpara selisë së NATO-s në Bruksel dhe në Komandën forcave aleate në Shape-Mons dhe Komandën e forcave aleate për Transformimin në Norfolk, Virxhinia. Rruga deri në momentin kur u bëmë shteti i tridhjetë anëtar i Aleancës filloi në dhjetor të vitit 1993, kur Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së atëhershme miratoi Rezolutën për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut).
Kryeministri Kovaçevski: Anëtarësimi në Aleancë është shumë më tepër se siguri e garantuar dhe mbrojtje e qytetarëve tanë
“Pikërisht dy vite më parë arritëm një nga synimet strategjike të vendosura që nga pavarësia e vendit – anëtarësimin e plotë në NATO. Dy vjet më vonë, në mes të krizës më të madhe ushtarake dhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore, ne shohim vlefshmërinë e këtij vendimi. Në këto kohë të pasigurta, kur e gjithë bota kujdeset për të ardhmen dhe sigurinë, Maqedonia e Veriut është pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike që garanton integritetin tonë territorial dhe sigurinë. Anëtarësimi në aleancë është shumë më tepër se siguri dhe mbrojtje e garantuar e qytetarëve tanë. Të jesh pjesë e NATO-s do të thotë të përmbushësh të gjitha standardet e botës së qytetëruar, si mbrojtja e të drejtave të njeriut, solidariteti midis kombeve dhe promovimi i demokracisë, nënvizoi në mes tjerash Kovaçevski.
Si anëtare e NATO-s, ne do të vazhdojmë të marrim pjesë aktive në të gjitha aktivitetet e Aleancës dhe të ndërtojmë aleanca me partnerët tanë. Ky angazhim do të thotë zhvillim afatgjatë për vendin tonë dhe një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë. Përfundimisht, sot përkujtojmë se vendimet e marra nga qeveria e LSDM-së ishin vizionare dhe në interesin më të mirë të qytetarëve. Ne vazhdojmë me hapa të guximshëm dhe të vendosur sepse politika është lidership dhe përgjegjësi për të ardhmen e qytetarëve tanë”, ka shkruar Kryeministri Dimitar Kovaçevski në profilin e tij facebook.
MPJ Bujar Osmani: NATO, arritja jonë më e madhe në politikën e jashtme
“Dy vjet anëtarësim në NATO – sukses historik për Maqedoninë e Veriut dhe garanci e fortë për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin tonë.
Sot shënojmë dy vjet nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, arritja jonë më e madhe në politikën e jashtme dhe verifikimi politik i shtetësisë sonë. Flamuri ynë valon përkrah 29 flamujve tjerë, aleatë në NATO, duke dëshmuar për unitetin dhe solidaritetin mes vendeve partnere në këto kohëra sfidash sigurie me të cilat përballemi.
U integruam më shumë në komunitetin euroatlantik, si aleatë me shtetet më të mëdha dhe më të forta, me demokracitë më të zhvilluara dhe më stabile me të cilat ndajmë vlerat e përbashkëta. Ne qëndrojmë krah për krah me vendet më të fuqishme në botë dhe kontribuojmë në mënyrë të barabartë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë.
Në rrethanat aktuale, gjëja më e rëndësishme është të kemi miq dhe aleatë të vërtetë, me të cilët së bashku do të marrim vendime të rëndësishme dhe do të kontribuojmë në sigurinë tonë të përbashkët. Së bashku dhe të bashkuar qëndrojmë 30 vende aleate me përcaktim të njëjtë për mbrojtjen e paqes, sigurisë, lirisë dhe vlerave demokratike”, ka shkruar kryediplomati Bujar Osmani.
Petrovska: Dy vjet më parë rrumbullakuam qëllimin strategjik
“Republika e Maqedonisë së Veriut dy vjet anëtare e NATO-s. Data e sotme është në rendin e më të rëndësishmeve që nga pavarësia e shtetit, ditë kur e rrumbullakuam qëllimin strategjik – anëtarësimin në aleancën më të fuqishme ushtarake dhe politike. Së bashku jemi më të fuqishëm”, shkroi Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska.
Çfarë bën NATO?
NATO është e angazhuar për mbrojtjen e anëtarëve të saj, nëpërmjet mjeteve politike dhe ushtarake. Ajo inkurajon gjithashtu këshillimin dhe bashkëpunimin me vendet që nuk marrin pjesë në NATO në një shkallë të gjerë të fushave që kanë të bëjnë me sigurinë, si reforma e mbrojtjes dhe ruajtja e paqes.
Nëpërmjet diskutimeve të saj dhe partneriteteve, NATO-ja kontribuon që të parandalojë konfliktet brenda dhe jashtë kufijve të vendeve anëtare. Ajo nxit vlerat demokratike dhe është e angazhuar për zgjidhjen në mënyrë paqësore të mosmarrëveshjeve. Në qoftë se përpjekjet diplomatike dështojnë, ajo ka kapacitetin ushtarak të nevojshëm për të ndërmarrë administrimin e krizës dhe operacionet për ruajtjen e paqes, vetëm ose në bashkëpunim me vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare.
NATO ka gjithashtu një dimension të tretë i cili qëndron në veprimtari në fushën e planifikimit të gjendjes së jashtëzakonshme (emergjencës) civile, duke ndihmuar aleatët dhe partnerët për t’i bërë ballë katastrofave, ashtu si edhe për të nxitur bashkëpunimin në fushën e shkencës dhe të ambientit, shkruan Zhurnal.mk.