BE-ja pranë vendimit për embargo ndaj naftës ruse

0
168

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se Ukraina nuk tërhiqet nga kërkesa që Perëndimi të vendosë embargo të plotë ndaj energjisë ruse.

“Ne do të vazhdojmë të insistojmë për embargo të plotë mbi naftën dhe gazin”, tha ai për gazetarët, teksa po merr pjesë në një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Ndërkaq, Borrell paralajmëroi se pakoja e re e sanksioneve të bllokut evropian mund të miratohet të enjten ose të premten. Në të, sipas tij, përfshihet ndalesa për importet e qymyrit rus.

“Ndoshta do të ndodhë pasditen e sotme ose, të paktën, të nesërmen”, tha Borrell teksa arriti në takimin e NATO-s.

Këto deklarata vijnë teksa furnizimet nga gjiganti i energjisë ruse Gazprom me gaz natyror po vazhdojnë në Evropë përmes Ukrainës, sipas kërkesës nga konsumatorët evropianë.

Kërkesa për gaz natyror rus më 7 prill ishte 105.4 milionë metër kubikë, që është sasi më e vogël krahasuar me një ditë më parë kur ishte 108.4 milionë metër kubikë, raportoi agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar operatorin e tubacionit ukrainas të gazit.

Për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ndalesë në importet e gazit dhe naftës ruse.

Por, thirrjet që BE-ja të vendosë sanksione të tilla janë shtuar këtë javë, pas njoftimeve për vrasjen e civilëve në Ukrainë, që disa shtete i kanë cilësuar si krime lufte.

“Këto sanksione nuk do të jenë sanksionet tona të fundit”, tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, para Parlamentit Evropian të mërkurën, teksa njoftoi për propozimin që të ndalohen importet e qymyrit rus.

“Tani ne duhet të shikojmë naftën dhe të ardhurat që Rusia merr nga lëndët djegëse fosile”, shtoi ajo.

Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, po ashtu më 6 prill tha se vendosja e sanksioneve ndaj naftës dhe gazit rus duhet të ndodhin “herët a vonë”.

Si do të ndikonin në Rusi sanksionet e mundshme ndaj naftës?

Rusia është eksportuesja më e madhe në botë e naftës dhe një prej tri prodhuesve më të mëdha në botë të këtij produkti, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Arabinë Saudite.

Moska eksporton në ditë 7 deri në 8 milionë fuçi naftë të papërpunuar dhe produkte të naftës së rafinuar, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Pothuajse gjysma, apo 4.7 milionë fuçi nafte e papërpunuar eksportohet në BE, shkruan Reuters.

Sipas Bankës Qendrore, eksportet e përgjithshme ruse më 2021 kapën vlerën e 489.8 miliardë dollarëve. Në këtë shifër përfshihen të ardhurat prej 110.2 miliardësh për naftë të papërpunuar dhe 68.7 miliardë për produktet e naftës. Ndërkaq, nga eksportet për gaz natyror, Rusia vitin e kaluar ka fituar 54.2 miliardë dollarë.

Vendosja e sanksioneve do të kishte një ndikim më të madh financiar sesa sanksionet ndaj qymyrit, që ka propozuar BE-ja, pasi sanksionimi i naftës dhe gazit do të ishte një goditje e madhe në të ardhurat vjetore ruse.

Organizata Bruegel thotë se sipas çmimeve aktuale, Evropa i paguan çdo ditë Rusisë 450 milionë dollarë për naftë të papërpunuar dhe produkte të rafinuara, 400 milionë dollarë për gaz dhe pothuajse 25 milionë të tjera për qymyr.

Megjithatë, sanksionimi direkt i naftës ruse do të mund të rriste çmimet botërore të naftës. Në një skenar të tillë, çmimet e naftës Brent do të rriteshin mesatarisht për rreth 21 për qind më 2022, nëse do të ndaleshin furnizimet ruse, ka thënë Instituti i Oksfordit për Studime të Energjisë.

Varësia e Evropës nga energjia ruse

Rusia është furnizuesja kryesore e Evropës me naftë dhe më 2020, 26 për qind e importeve të naftës së BE-së ishin nga Rusia, thuhet në të dhënat e Eurostat-it. Furnizuesit e tjerë janë Norvegjia, Kazakistani, SHBA-ja, Arabia Saudite dhe Nigeria.

Gjermania, Holanda dhe Polonia janë blerëset më të mëdha të naftës ruse.

Në përgjithësi, 97 për qind e naftës së papërpunuar që Evropa përdor vjen nga jashtë. Dizelli rus përbën rreth 10 për qind të kërkesës së Evropës.

Nafta dhe produktet e saj siguruan një të tretën e energjisë bruto të BE-së më 2020 dhe këtë produkt blloku evropian e ka përdorur për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe për transport dhe prodhim të kimikateve. /REL/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here