Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se po provon të fshehë prova për vrasjen e civilëve në disa pjesë të Ukrainës nga forcat ruse.
“Ne kemi informata se ushtria ruse ka ndryshuar taktikat dhe ata po mundohen t’i pastrojnë rrugët dhe bazamentet në territoret e okupuara nga trupat e vdekur, nga ukrainasit e vdekur. Është në përpjekjet e tyre të fshehin provat, por ata nuk do t’ia dalin sepse janë vrarë shumë njerëz”, ka thënë ai, shkruan Sky News.
Ai nuk ka dhënë më shumë detaje.
Këto vërejtje të tij kanë ardhur pas publikimit të fotografive dhe videove të civilëve të vdekur në Bucha, qytet afër Kievit ku trupat ruse janë akuzuar se kanë kryer masakër.