Rritje e eksportit, importit dhe numrit të të punësuarve në zonat zhvillimore teknologjike – industriale

0
167

Në zonat zhvillimore teknologjike – industriale është regjistruar aktiviteti më i lartë ekonomik në tremujorin e parë të këtij viti edhe sa i përket eksportit dhe në raport me importin, tregon analiza e rregullt mujore e ZZHTI-së.

Sipas të dhënave të analizës, eksporti arriti 851,6 milionë euro, që është rritje prej gati 10 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe mbi 42 për qind në krahasim me vitin 2020. Sa i përket tremujorit të parë të vitit 2019, rritja është 22,5 për qind, ndërsa sa i përket vitit 2018 aktiviteti eksportues në tremujorin e parë është rritur për gati 55 për qind. Në nivel mujor, eksporti i përgjithshëm nga zonat në mars arriti 263 milionë euro, që është për rreth dy për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Edhe sa i përket importit është regjistruar niveli më i lartë deri më tani krahasuar në tremujore gjatë pesë viteve të kaluara. Kështu, importi në tremujorin e parë të këtij viti arriti 744,6 milionë euro dhe është për 1,5 për qind më i lartë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar dhe për 35 për qind më i lartë në krahasim me tremujorin e parë në vitin 2020. Në krahasim me vitin 2019, rritja është gati 18 për qind, ndërsa në krahasim me vitin 2018 aktiviteti importues i kompanive në ZZHTI në tremujorin e parë është rritur për mbi 52 për qind. Importi mujor në ZZHTI në mars është në nivel prej 239 milionë dhe është në nivelin e periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Analiza tregon se në muajin e tretë të këtij viti është regjistruar edhe nivel më i lartë i neto eksportit prej 14,3 për qind.

Rritje është vërejtur edhe në numrin e të punësuarve. Në kompanitë në ZZHTI punojnë 14.512 qytetarë që është për gati pesë për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar vetëm me fillimin e këtij viti mbi 500 qytetarë janë punësuar në kompanitë në ZZHTI.

“Pritet që trendi i rritjes të vazhdojë duke pasur parasysh atë që ZZHTI në vitin 2021 arriti marrëveshje për investime në vëllim të përgjithshëm prej 188 milionë euro të cilat duhet të sjellin gjithsej 2.700 vende të reja të punës. Analiza tregon edhe se 90 për qind e kompanive në mars kanë aktivitete të rritura eksportuese në krahasim me marsin e vitit 2021, që tregon për prodhimtari stabile edhe në periudhë të sfidave globale nga agresioni ushtarak ndaj Ukrainës, si dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet energjetike”, bëhet e ditur në kumtesën e ZZHTI-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here