Kancelari austriak do të takohet me diktatorin rus të hënën. Kjo është vizita e parë e një politikani europian në Moskë pas agresionit rus kundër Ukrainës. Opinionet në Perëndim janë të ndryshme lidhur me këtë vizitë. Austria mban lidhje të ngushta dhe jokritike me regjimin e Putinit prej vitesh. Pak muaj pas aneksimit të Krimesë Putin e pati vizituar Austrinë më 2014 dhe qe pritur krahëhapur nga politikanët e Vjenës. Austria ishte vendi i parë në BE që ia hapi dyert Putinit atëbotë. Vizita e tanishme gjithsesi do të jetë një rast për Putinin për t’u shfaqur para opinionit botëror si burrështetas. Dhe këtë mundësi po ia ofron kancelari austriak, thonë kritikët e tij.
Kancelari i Austrisë Karl Nehammer është nisur të dielën në mbrëmje për në Moskë. Të hënën në orën 15:00 ai do të takohet me Vlladimir Putinin në Kremlin. Pala austriake tha se vizita është bërë pas marrëveshjes me kancelarin gjerman, me kryetaren e Komisionit Europian, me kryetarin e Këshillit Europian, me presidentin turk dhe krerë të tjerë politikë. Edhe presidenti ukrainas është informuar, sipas austriakëve.