Sindikata e arsimit jemi në krizë, oferta prej 10% duhet të pranohet!

0
59

Çdo qeveri do të donte t’i rriste pagat e sektorit publik, madje nëse mundet edhe në fushat tjera. Por, kjo nuk varet përherë nga vullneti, apo jo?
Ndaj dhe kërkesat e Sindikatës së punëtorëve të arsimit për rritje drastike të pagave në rrethanat në të cilat gjendemi, hap shumë pikëpyetje.
Nuk do mend se arsimtarët meritojnë më shumë, edhe si status shoqëror edhe si status material. Ata merren me veprimtarinë më të ndjeshme, atë të edukimit dhe orientimit të gjeneratave të reja, për aftësimin e tyre për të qenë në shërbim të zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror. Mu për këtë, kjo qeveri në të kaluarën ka dhënë kontributin konkret për avancimin e statusit të tyre material. Dhe do të vazhdojë edhe më tutje.
Edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe ministri i saj aktual, kanë shprehur mirëkuptim për kërkesat e sindikatës së arsimit dhe njëkohësisht edhe gatishmëri për t’i plotësuar kërkesat, edhe pse në një situatë të rëndë të përgjithshme ekonomike e sociale, si refleks i ndodhive në botë për këto dy vitet e fundit.
Ministri i Arsimit ia zgjati dorën Sindikatës për një rritje prej 10 përqindësh të rrogave të arsimtarëve. Në kohë krizash, vërtetë ofertë bujare, së cilës s’duhet t’i kërkohet behane, por të pranohet pa diskutim. Kur të merren parasysh këto rrethana objektive, çdo mosmirëkuptim nga Sindikata e punëtorëve të arsimit, është një veprim i papresedent dhe do të thoshim edhe jopatriotik, sepse cenon ekonominë dhe sigurinë e përgjithshme të shtetit.
Oferta për rritje prej 10 përqindësh në këtë situatë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, është vërtet korrekte dhe ajo duhet të pranohet, që të mund procesi edukativo-arsimor t’i kthehet normalitetit. Çdo veprim ndryshe, vetëm mund ta përkeqësojë gjendjen.
Vetëm para pak kohe Qeveria mori një borxh prej 600 milionë eurosh pikërisht për sanimin e pasojave të këtyre krizave. Nuk ka nevojë të elaborojmë gjatë se çfarë pasojash la për ekonominë pandemia, e cila rrezikoi dhe falimentoi shumë biznese dhe për këto dy vite, u përpoq që të zbutë ato. Çrregullimi i radhës lidhet me situatën në Ukrainë, që drejtpërdrejt ka pasoja për gjithë ekonominë botërore, që jemi duke i ndjerë të gjithë Rritja e çmimeve të shumë artikujve elementarë, derivateve të naftës dhe energjensëve të tjerë po marrin përmasa brengosëse. Nesër ndoshta do të vijmë në situatë jo për çmimet e tyre, por thjeshtë për t’i siguruar me çfarëdo çmimi, duke ditur se shumë prej tyre vijnë nga dy vendet në konflikt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here