Sindikatat kanë paralajmëruar greva nëse pas datës 20 prill nuk do të jetë gati Ligji për Paga. Drejtues të Sindikatave, kanë bërë të ditur për Radio Kosovën se deri me tani nuk ka ndonjë sinjal për gatishmëri nga ana e qeverisë për të diskutuar në lidhje me kërkesat e tyre. E, drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës theksuan se ditëve të fundit ka pasur një dialog me qeverinë dhe se ai pritet të vazhdojë.
Pas një kohe të gjatë dhe kërkesave të shumta nga sindikatat, qeveria ende nuk e ka bërë publik versionin final të Ligjit për Paga. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se pas datës 20 prill, nëse nuk do të ketë ndonjë marrëveshje ose takim me qeverinë, kryesia e kësaj sindikate do të marrë vendim për hapat sindikalë, duke mos përjashtuar edhe grevën.
“Data 20 prill është datë e cila Kongresi i SBASHK-ut e ka caktuar si hapësirë për dialog. Dhe ne po presim lëvizjet që do të ndodhin, dhe pastaj pas kësaj date Këshilli Drejtues do ta thotë fjalën e vet duke analizuar situatën dhe duke bërë agjendën e angazhimeve për dialog dhe hapave sindikalë”, tha Jasharaj.
Edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, tha se pas vonesave nga ana e qeverise për publikimin e versionit final të Ligjit për Paga, pas datës 21 prill kjo sindikatë do të marrë vendim për hapat e mëtejshëm.