Barca rikthehet te fitorja ndaj Sociedadit dhe rimerr pozitën e dytë

0
68

Barcelona është rikthyer te fitorja duke triumfuar në udhëtim te Real Sociedadi (1-0), në kuadër të xhiros së 33-të në La Liga.

Pas një mundësie të pashfrytëzuar nga Ousmane Dembele, katalunasit e zhbllokuan rezultatin në minutën e 11-të të takimit.

Ferran Torres dhuroi një asistim të mirë drejt Pierre-Emerick Aubameyang, i cili realizoi me kokë për epërsinë e mysafirëve.

(Foto: Twitter/FC Barcelona)

Alexander Sorloth pati dy raste për vendasit gjatë fraksionit të parë, derisa në anën tjetër rrezikoi Ferran, megjithatë skuadrat shkuan në pushim me diferencë prej një goli.

Me të filluar gjysma e dytë, Adnan Januzaj dhuroi një pasim të mrekullueshëm për Sorloth, i cili e goditi topin jashtë portës.

Deri në mbyllje të takimit nuk pati gola të tjerë, ashtu që Barcelona u ngrit në vend të dytë dhe në kuotën e 63 pikëve (me një ndeshje më pak të zhvilluar), 15 pikë më pak se lideri Real Madrid.

Në anën tjetër, me këtë humbje Real Sociedadi mbetet gjashtë pikë larg vendit të katërt (Atletico Madrid) duke i zbehur gjasat për një shans kualifikimi në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here