RMV, greva nuk do të ndryshojë përmbajtjen e testeve të maturës

0
55

A do të pamundësojë greva që maturantët t’i nënshtrohen provimit të maturës me kohë? Çështja e provimit të maturës shtetërore aktualizohet me afrimin e fundit të vitit shkollor. Provimet tashmë janë caktuar, testet janë shtypur, por duke qenë se materiali nuk u është dorëzuar plotësisht nxënësve, pyetja është se si do të kontrollohen njohuritë e tyre për temat të cilat ata nuk i kanë mësuar, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP), Elizabeta Naumovska, qetëson duke shtuar se edhe në kushte të tilla ka zgjidhje që nuk do të jenë në dëm të maturantëve. Provimi do të mbahet, pa marrë parasysh grevën, ndërsa Naumovska informon se për këtë nuk do të shtypen teste të reja, por maturantëve do t’u jepen testet që tashmë janë shtypur nga QSHP. Përmbajtja e pyetjeve në to nuk do të ndryshojë.

“Është e vërtetë që për shkak të grevës nxënësve nuk u është dhënë i gjithë materiali dhe nuk janë përvetësuar të gjitha njohuritë. E dimë që maturantët edhe pa grevë nuk kanë shumë dëshirë për të mësuar, ndaj edhe testi i maturës ka më së paku pyetje nga materiali që ligjërohet muajt e fundit. Nuk ka vend për shqetësim sepse, nëse për shembull, në lëndën e matematikës ka ndonjë detyrë nga materiali, të cilin nuk e kanë mësuar, do të propozohet që për atë detyrë të mos ndahen pikë dhe ashtu nuk do të ndikojë në numrin total të pikëve”, tha drejtoresha.

Naumovska sqaron se maturantët e marrin notën me gradë përqindje, e jo me pikë.

“Pasi vlerësuesit shqyrtojnë të gjitha testet, i japin një propozim komisionit shtetëror të maturës (i cili nga ana e tij i jep propozim ministrit), sa pikë minimale duhen për notën dy e sa për tresh. Më pas formohet shkalla e notave nga 1 deri në 5. Nota  formohet më pas, përkatësisht pragu i pikëve formohet pasi të jenë shqyrtuar të gjitha testet. Kjo është procedura”, tha Naumovska.

Këtë vit në provimin e maturës shtetërore do t’i nënshtrohen 15.899 maturantë. Për shkak të grevës, gjithsej 1598 nxënës në vend nuk e kanë kaluar detyrën e projektit.

“Prandaj ne tani duam t’i propozojmë ministrit që duke e ndryshuar Kalendarin e provimeve, nxënësve të cilët nuk kanë hy në provim për detyrën e projektit për shkak të grevës, t’u mundësohet të hynë në provim për mbrojtjen e detyrës së projektit derisa janë në shkollë, deri më 20 maj. Sepse kot do t’i bënin provimet e tjera nëse nuk do ta kalonin detyrën e projektit”, thotë drejtoresha.

Ajo apelon dhe u bën thirrje shkollave dhe mësimdhënësve që t’iu përgjigjen dhe të mbrojnë interesin e maturantëve duke organizuar provime për detyrën e  projekti pavarësisht nëse organizojnë mësime apo jo.

“Është çështje jetike për maturantët. Afatet për diplomimin shtetëror janë të fiksuara, fëmijët duhet të kenë diploma që të mund të regjistrohen në fakultet. Kjo është arsyeja për të cilën shkollat ​​duhet t’u ndihmojnë maturantëve”, ka shtuar ajo.

Maturantët do t’i nënshtrohen provimit të pjekurisë në datat 4 dhe 13 qershor. Provimi i gjuhës amtare është më 4 qershor, kurse gjuha angleze ose matematika më 13 qershor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here