Mehaj tha se Kosovës i duhet rezerva ushtarake, ekspertët: E papërballueshme për buxhetin, Qeveria të mos vendosë krye në vete

0
38

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, të mërkurën gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kur u pyet për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, premtim ky elektoral i kryeministrit Albin Kurti, tha se Kosova duhet të ketë rezervë ushtarake, ku do të trajnohen rreth 20 mijë persona.

Njëjtë si shërbimi ushtarak i detyrueshëm, edhe rezerva usharake duket se është projekt vështirë i realizueshëm.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se një numër i tillë i ushtarëve rezervistë është i papërballueshëm për buxhetin e Kosovës.

“Ndonëse kjo komponentë nuk është e përhershme. Edhe kjo ka një plan stërvitor, së paku 15 ditë gjatë një viti, e i cili gjithashtu kërkon shpenzime, ku në start përfshihen 30 mijë uniforma, 30 mije armë personale”, deklaroi Kajtazi në një përgjigje me shkrim për Telegrafin.

“Gjithashtu edhe kjo komponentë llogaritet të jetë efektive, e cila nëse ndahet në tri brigada, i bie që secila duhet të ketë nga një regjiment artilerie 155 mm, nga një regjiment të mbrojtjes kundërajrore, nga tre batalione të këmbësorisë, të cilat pos armatimit personal kanë edhe sisteme, etj”.

Në këtë drejtim, ajo që duhet të bëhet, sipas ekspertit të sigurisë, është të aktivizohet garda kombëtare si komponentë vullnetare, ku në secilin qytet do të ketë nga një ose dy kompani, të cilat përpos që do të shërbenin si bërthama aktive me sukses, do të shfrytëzoheshin edhe në misione shpëtimi në fatkeqësi natyrore dhe fatkeqësi tjera.

“Në aktualitetin e tanishëm, në kuadër të Politikës së Sigurisë Nacionale të Kosovës, strategjia më e mirë është formula magjike e presidentit Rugova: ‘integrim i Kosovës në Bashkimin Evropian, NATO dhe marrëdhënie speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’. Shumë më efikas do të ishte gazsjellësi amerikan se sa shërbimi i detyrueshëm ushtarak apo 30 mijë rezervistët”, shtoi Kajtazi.

Tutje, ai tha se masa e investimeve në ushtri duhet përcillet me atë të zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik të vendit.

“Për të mos shkaktuar debalanca në zhvillimin ekonomik e social të vendeve me ekonomi të vogla, shkenca e kësaj fushe ka llogaritur se në kushte paqe, dhe në kuadër të mbrojtjes kolektive janë të mjaftueshëm 4,5 deri në 7 ushtarë për 1,000 banorë. Çdo investim i shtuar në ushtri mbi këta parametra shkakton ngecje në zhvillimin ekonomik, në shëndetësi, arsim, kulturë… E, për pasojë mund të ketë edhe trazira sociale”.

Në Kosovë, sipas tij, “buka” e sigurisë nacionale është politika e jashtme, e cila tha se nga Qeveria aktuale po sabotohet “ose nga injoranca, ose qëllimshëm”.

“Krijimi i narrativave anti amerikane, anti NATO dhe anti BE, dhe politikave grindavece në raport me aleatët, me ata prej të cilëve vare politika e jonë e sigurisë nacionale është injorancë në politikat e sigurisë. Me këtë diskurs, nuk të bëjnë punë as fondet për ushtrinë e as shërbimi ushtarak i detyruar”.

Sa i përket shërbimit ushtarak, Kajtazi tha se edhe pse partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur premtim elektoral, ai projekt shkakton probleme serioze në procesin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Një vendim i tillë do ta debalanconte komplet ekonominë tonë. Mbajtja në shërbimit të detyrueshëm të ushtarëve për një vit apo edhe për 6 muaj, do të kërkonte investime në kazerma, në veshmbathje, në pajisje të cilat do të kërkonin shuma marramendëse”.

Fadil Kajtazi, ekspert i sigurisë

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala, thotë se numri prej 20 mijë ushtarëve rezervistë nuk korrespondon me planin gjithëpërfshirës të transformimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në Forcën e Armatosur të Kosovës (FAK), i cili bazohet në tri faza të saj dhe që pritet të përmbyllet sipas planifikimit 2029/2030.

Shala në një intervistë për Telegrafin tha se ky propozim i ministrit Mehaj duhet të koordinohet me SHBA-në dhe jo të merret vendim “krye në vete”.

“Propozim mendimi që të kemi rreth 20 mijë ushtarë rezervë, ky koncept i shprehur nga ana e Ministrit duhet të koordinohet më partnerin tone strategjik ushtarak që është SHBA-ja, e jo të vendoset në krye në vete”.

“Pra, koncepti që është tentuar edhe më herët në raport me shërbimin e detyruar ushtarak, nuk ka marrë bekimin e partnerit tonë strategjik. Kjo tregon që ministri respektivisht Qeveria nuk bën assesi të lëndojë procesin e FSK-së”.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë

Më 3 shkurt, kryeministri Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke folur për aspektet e qeverisjes së vendit gjatë mandatit të tij, pati premtuar se do ta jetësojë shërbimin ushtarak të detyrueshëm.

Ai pati thënë se ky shërbim do të jetë gjashtë mujor, por nuk pati dhënë detaje se sa do t’i kushtojë buxhetit të shtetit. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here