Zonja e Parë e SHBA-së Jill Biden bën vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë

0
43

Zonja e Parë e SHBA-së, Jill Biden, e kaloi një pjesë të Ditës së Nënës duke bërë një udhëtim të paparalajmëruar në Uzhhorod të Ukrainës, një qytet i vogël në cepin e largët jugperëndimor të Ukrainës, një vend që për 10 javët e fundit ka qenë nën pushtimin nga Rusia.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, në një shkollë që tani shërben si strehim i përkohshëm për qytetarët e zhvendosur, Biden u takua me Zonjën e Parë ukrainase, Olena Zelenska, e cila nuk është parë në publik që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

“Doja të vija në Ditën e Nënës”, i tha Biden homologes së saj ukrainase, dy gratë u ulën në një tavolinë të vogël në një klasë të një ish-shkolle që tani është një burim strehimi i përkohshëm për ukrainasit e zhvendosur, duke përfshirë 48 fëmijë.

“Ne menduam se ishte e rëndësishme t’i tregonim popullit ukrainas se lufta duhet të ndalet. Dhe kjo luftë ka qenë brutale”, u shpreh Zonja e Parë e SHBA-së. “Populli i Shteteve të Bashkuara qëndron me popullin e Ukrainës”.

Zelenska, e cila në fillim të pushtimit rus i dërgoi një letër Bidenit, ka shkëmbyer korrespodencë me homologen e saj amerikane javët e fundit, thanë zyrtarët amerikanë për CNN.

“Së pari do të doja t’ju falënderoja për një veprim shumë të guximshëm”, tha Zelenska, duke folur përmes një përkthyesi për Biden. “Sepse ne e kuptojmë se çfarë i duhet Zonjës së Parë të SHBA-së për të ardhur këtu gjatë një lufte kur aksionet ushtarake po zhvillohet çdo ditë, kur sirenat ajrore po ndodhin çdo ditë, madje edhe sot. Të gjithë e ndiejmë mbështetjen tuaj dhe të gjithë e ndiejmë udhëheqjen e presidentit të SHBA-së, por dëshirojmë të theksojmë se Dita e Nënës është një ditë shumë simbolike për ne, sepse ne gjithashtu ndjejmë dashurinë dhe mbështetjen tuaj gjatë një dite kaq të rëndësishme”. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here