Këndvështrime të ndryshme për rëndësinë e vizitës së Osmanit në Amerikën Latine

0
45

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani po vazhdon turin e saj të vizitave në vendet e Amerikës Latine.

Deri më tani presidentja ka takuar zyrtarët më të lartë shtetërorë të Panamasë, Republikës Domenikane dhe Costa Rikës, derisa gjatë kësaj vizite Presidentja është takuar edhe me nënsekretaren amerikane të Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Administratën e Presidentit Joe Biden, Uzra Zeya.

Gjatë këtyre vizitave Osmani është shprehur e nderuar që është përfaqësuesja e parë e Kosovës që viziton Kosta Rikën.

Megjithatë, në Kosovë përfaqësues nga subjektet politike dhe nga shoqëria civile janë të ndarë në lidhje me rëndësinë e Kësaj vizite dhe efektet që mund t’i ketë ajo në promovimin dhe lobimin për më shumë njohje për shtetin e Kosovës.

Deputeti i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Avdyli ka deklaruar se për herë të parë Kosova me Presidenten Osmani me vizitën e tanishme në Amerikën Latine, po lobon seriozisht e po na përfaqëson me dinjitet duke bërë takime të nivelit më të lartë atje.

“Te shtetet e Amerikës Latine Kosova shumë pak ishte prezente në të kaluarën dhe këto takime do shkojnë direkt në favor të njohjes e forcimit të subjektivitetin shtetëror të Kosovës. Presidente Vjosa Osmani, në çdo vizitë po prezanton në mënyrën më të mirë sukseset e demokracisë të shtetit më të ri në Evropë”, deklaroi Avdyli.

Haxhi Avdyli, deputet në Grupin Parlamentar të LVV

Ai thotë se shumica dominuese e qytetarëve të Kosovës e mirëpresin e ndjehen krenar me këtë përfaqësim shtetëror të Presidentes Osmani, por edhe Kryeministrit Kurti e Ministres Gërvalla në shumë shtete njohëse e mos njohëse.

“Ekziston edhe një pakicë e qytetarëve, ish- pushtetarë apo shërbëtorë të tyre, që sukseset e Kosovës në arenën ndërkombëtare u dhembin shumë sepse e dinë që këto suksese do të thotë që ata shumë gjatë do mbesin në opozitë apo në shërbim të opozitës”, ka përfunduar Avdyli.

Ndryshe mendon ish-zëvendësministri i Jashtëm dhe anëtari i Departamentit për Politikë të Jashtme në LDK, Anton Berisha.

Ai në një prononcim për Telegrafin, aktivitetet e Presidentes Osmani në Amerikën Latine i ka konsideruar si ngjarje periferike.

“Presidentja Osmani, është duke vazhduar aktivitetet e saj në ngjarje e vizita periferike si rezultat i mungesës së vizitave e aktiviteteve në vendet që kanë peshë për Kosovën siç janë shtetet evropiane dhe shtetet anëtare të NATO-s”.

Anton Berisha, ish-zëvendësministër i Jashtëm

Berisha ka thënë se këto vizita ngjasojnë me ato që realizonte kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli në vendet e Azisë dhe Afrikës.

“Pak a shumë kjo [vizitë] me përkujton vizitat e Pacollit në vende afrikane e aziatike nga të cilat Kosova nuk kishte asnjë dobi. Pak a shumë edhe agjenda e presidentes Vjosa Osmani deri më tani është në linjë të ngjashme. Nuk pres asnjë gjë konkrete për Kosovës nga këto vizita përveç përmbushjes së agjendës së saj me të gjitha benificionet përcjellëse”, ka deklaruar tutje Berisha.

Edhe përfaqësues nga shoqëria civile janë të ndarë sa i përket rëndësisë së turit të vizitave të Osmanit në vendet e Amerikës Latine.

Analisti Gazmir Raci, që ka qenë edhe pjesë e delegacioneve të Kosovës për Dialog, thotë se përfaqësuesit e Kosovës në asnjë moment nuk duhet të ndalen së vizituari çdo kontinent pa marrë parasysh a janë shtete njohëse apo jo.

“Të gjitha shtetet që janë anëtare të OKB-së e kanë rëndësinë e tyre sepse edhe Kosova synon poashtu të jetë një ditë anëtare e OKB-së. Edhe këto shtete në Amerikën Latine kanë ndikimin e vet dhe natyrisht se këto mund të ndikojnë pozitivisht edhe te shtetet tjera të atij kontinenti që nuk e kanë njohur ende Kosovën”, ka deklaruar Raci në një prononcim për Telegrafin.

Gazmir Raci

Ai ka deklaruar se Presidentja po e kryen rolin e saj kushtetuese në diplomaci duke përfaqësuar Kosovën denjësisht.

“Ka kaluar koha e ndarjes se njohjeve ne kualitative dhe kuantitative, të gjitha e kanë rolin dhe ndikimin e tyre në botë në forma të ndryshme”, ka deklaruar tutje Raci.

Kritik ndaj këtij turi të presidentes është shprehur opinionisti tjetër Blerim Latifi (ish-këshilltari i Kadri Veselit).

Ai ka thënë se diplomaci e Kosovës nuk quhet të vizitosh vendet që na kanë njohur prej kohësh, e me të cilat nuk ke asnjë çështje të hapur dhe ndikimi i tyre në zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës është i barabartë me zero.

“Diplomaci e Kosovës quhet ajo që ia del t’i prekë shtetet që nuk na kanë njohur, e në rend të parë pesë shtetet e Bashkimit Europian, sepse aty është shkaku i bllokimit të procesit të avancimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe shkaku i manovrave të vazhdueshme të Serbisë kundër shtetit tonë”.

Blerim Latifi

Opinionisti duke iu referuar vizitës së Osmanit, thotë se kjo është humbje kohe, shpenzim i kotë i pareve të shtetit dhe mashtrim i vetes se po bëjmë diçka.

Kujtojmë Kosova njihet nga shumica e shteteve të fuqishme demokratike të botës, derisa disa vende të mëdha të Amerikës Latine përfshirë Brazilin e Argjentinën kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës./Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here