Publikohet aktgjykimi i plotë për Gucatin dhe Haradinaj, të cilët u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim

0
123

Ish-udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, u shpallën fajtor nga Gjykata Speciale, duke u dënuar secili me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 eurove.

Ata janë shpallur fajtorë për pikën 1 “Pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë”, Pikën 2 “Pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi”, Pikën 3 “Frikësim gjatë procedurës penale”, pikën 5 “Shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare” dhe pikën 6 “Shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identiteti dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”.

Gucati e Haradinaj u shpallën të pafajshëm vetëm për pikën 4 “hakmarrje. Në dënimin me burgim, atyre do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim deri në tani.

Gjykata Speciale tashmë e ka publikuar të plotë aktgjykimin në gjuhën shqipe i cili përbëhet nga 17 faqe.

Në pjesën ku përmenden akuzat thuhet se “Prokurori i Specializuar ngriti gjashtë akuza kundër të akuzuarve për shkelje të Kodit Penal të Kosovës (“KPK”): Pikat 1 dhe 2, pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, sipas nenit 401 të KPK-së; Pika 3, frikësim gjatë procedurës penale, sipas nenit 387 të KPK-së;  Pika 4, hakmarrje, sipas nenit 388 të KPK-së; dhe Pikat 5 dhe 6, shkelje e fshehtësisë së procedurës, sipas nenit 392 të KPK-së”.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj gjatë shpalljes fajtor nga Gjykata Speciale

Lidhur me llojin e pjesëmarrjes së të akuzuarve në këto vepra penale, Trupi Gjykues konstatoi se të akuzuarit morën pjesë bashkërisht dhe dhanë kontribut thelbësor si bashkëkryes në kryerjen e veprave penale të Pikave 1, 3, 5 dhe 6. Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se Gucati dhe  Haradinaj kryen individualisht veprën penale të Pikës 2.

Bazuar në sa më lart, Trupi Gjykues konstaton se të akuzuarit janë penalisht përgjegjës si bashkëkryes për veprat penale të Pikave 1, 3, 5 dhe 6 dhe si kryes individualë për veprën penale të Pikës 2. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here