Tomë Gashi: Nëse vendimi bëhet i plotfuqishëm, Gucati e Haradinaj, dënimin do ta mbajnë në një shtet fiqnjë të Holandës

0
58

Dy ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë shpallur fajtorë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, dhe janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim e gjobë në shumën prej 100 eurove.

Gucati dhe Haradinaj janë shpallur fajtorë për publikimin e dokumenteve të Speciales.

Trupi gjykues u bind se të akuzuarit qëllimisht shpërndanë informacione zyrtare duke i bërë publike ato, e duke i ekspozuar në konferenca për shtyp.

Por, palët kanë afat 30 ditë për ta apeluar vendimin. Këtë mund ta bëjnë duke paraqitur një njoftim apeli ku paraqiten arsyet e ankimimit.

Kështu ka thënë për Telegrafin në një përgjigje me shkrim, Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Për sa i përket hapave të ardhshëm të mundshëm, ligji parashikon që secila palë mund të apelojë një vendim mbi bazën e një gabimi të supozuar në një çështje ligjore; gabim i pretenduar faktik që çoi në dështim të drejtësisë; ose një gabim i supozuar në dënim”, thuhet në përgjigjen e Griep.

“Pala që kërkon të apelojë aktgjykimin, duhet të paraqesë një njoftim apeli duke përcaktuar arsyet e ankimit, brenda tridhjetë ditëve. Çdo dosje e tillë që është publike do të jetë e disponueshme në faqen tonë të internetit”, thuhet më tej.

Pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë, Griep bën të ditur se në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Dhomat e Specializuara, Prokurorinë e Specializuar dhe Rregulloren e Procedurës dhe Provave, Kryetari i Dhomave të Specializuara të Kosovës, pasi të ketë dëgjuar të akuzuarin, cakton shtetin ku i akuzuari do të vuajë dënimin.

Ndërkaq, sipas avokatit Tomë Gashi, nëse dënimi bëhet i plotfuqishëm, pra pas apelit të vendimit të Speciales, ata dënimin nuk mund ta mbajnë në Kosovë,e as Hagë, por në një shtet tjetër.

“Vuajtja e dënimit bëhet pas plotfuqishmërisë, në një shtet tjetër. Pra nuk do ta mbajnë dënimin as në Holandë, Kosovë, e as Shqipëri, por në një shtet fqinj të Holandës”, tha Gashi për Telegrafin.

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës

Pas vendimit të Speciales për Gucatin dhe Haradinajn, ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL–UÇK-së, Faton Klinaku.

Ai ka thënë se ky vendim ka qenë i pritshëm, pasi sipas tij, kësaj gjykate i kanë rrjedhur skandalet nga zyrat e tyre dhe nuk është bërë hetim nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara.

Klinaku ka shtuar se do të dakordohen dhe nëse do të organizojnë protesta ato do të jenë kundër Kuvendit të Kosovës, i cili siç ka thënë, nuk ka bërë asgjë në kundërshtim të Gjykatës Speciale apo edhe ndjekjen e krimeve të luftës në Kosovë.

“Tash unë pres që të komunikoj me shokët, protesta nëse do të bëjmë, ato do të jenë edhe atje, por edhe kundër Kuvendit të Kosovës… Edhe ne fillim ato më kanë thënë që mos të protestojnë për shkak të këtyre shantazhuesve, gjyqtarët politikë kanë thënë që po pengohet drejtësia… Edhe ata dëshmitarë rastësisht është përmendur një emër, janë kriminelët serbë, policët serbë që ata kanë dhënë dëshmi dhe të gjitha dokumentacionet janë të Serbisë pushtuese, por edhe një dëshmitar që është përmendur, vetë e ka pranuar që është dëshmitar i Speciales”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), e ka konsideruar si të bazuar vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në reagimin e tyre, FDHK ka kërkuar që hetimet të zgjerohen edhe ndaj personave prej të cilëve kanë rrjedhur këto materiale.

“Veprimet e tilla duhet të parandalohen pasi që e rrezikojnë sigurinë e dëshmitarëve dhe familjarëve të tyre, ndikojnë në zvogëlimin e besimit dhe kredibilitetit të DHSK dhe mund të kenë ndikim tek dëshmitarët që të ndërprenë bashkëpunimin me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (DHSK&ZPS)”, thuhet në komunikatën për media.

Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar me 25 shtator 2020 në Prishtinë, për shkak të dyshimeve se në disa konferenca për media nga selia e OVL-UÇK-së kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Gjykatës Speciale.

Aktakuza kundër tyre është konfirmuar më 11 dhjetor të vitit 2020 dhe më pas e njëjta është korrigjuar me datën 5 korrik të vitit 2021. Sipas aktakuzës, midis datave 7 dhe 25 shtator të vitit 2020, në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të DHSK. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here