30 vjet – DW në shqip

0
67

Redaksia në gjuhën shqipe u krijua në një kohë kur nëpër Evropë kishte filluar të frynte “era e ndryshimit”. Të nxitur nga këto erëra një grup i vogël gazetarësh të rinj nga Gjermania, Shqipëria dhe Kosova filluan të punojnë për DW. Një revistë radiofonike 15-minutëshe e pagëzuar me emrin Prizmi Ynë, nisi të transmetohet në valë të shkurtra për herë të parë më 1 qershor 1992 në orën 22:45 nga qendra e Deutsche Welle-s në Këln.

Menjëherë pas fillimit të transmetimeve në redaksi erdhën shumë letra nga dëgjuesit. Njëri nga dëgjuesit shkruante në atë kohë: “Programi juaj është si një dritare e hapur që na lejon të thithim ajrin perëndimor dhe shërben si urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit. Informacioni juaj do të thotë shumë për ne.”

Deri sot Deutsche Welle luan një rol të rëndësishëm si zëri i Gjermanisë nga zemra e Evropës dhe nga BE-ja.

Pavarësisht rritjes së diversitetit dhe të pluralizimit të tregut në rajon, programi multimedial i Deutsche Welle-s në shqip mbetet një medium i rëndësishëm informimi për shkak të besueshmërisë së DW si një medium informacioni objektiv dhe i orientuar globalisht, i cili ofron perspektiva evropiane dhe gjermane për përdoruesit dhe shikuesit, të cilat mediat vendase nuk i ofrojnë.

Gama e programeve të ofruara nga Deutsche Welle ndryshon nga ajo e mediave lokale, jo vetëm nga spektri, por sidomos në mënyrën analitike dhe kritike që trajtohen temat, prandaj edhe gazetat dhe portalet e përditshme në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut citojnë çdo ditë materiale nga përmbajtja e ofertës së DW-së në gjuhën shqipe.

Punonjësit e ekipit të DW-së shqip punojnë në Bon dhe Berlin dhe janë ndërmjetësues me përvojë të vlerave gjermane dhe evropiane. Një rrjet korrespondentësh në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup garanton që temat e rëndësishme nga rajoni të fokusohen në programin tonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here