Kryeparlamentari Xhaferi takohet me kryetaren e Kuvendit të Malit të Zi, Gjuroviq

0
73

Në suazat e Asamblesë së 9. të Sesionit plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që mbahet në Athinë, Republika e Greqisë, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe anëtarët e Delegacionit, realizuan takim bilateral me kryetaren e Kuvendit të Malit të Zi, Daniella Gjuroviq. Xhaferi shprehu kënaqësi për realizimin e këtij takimi dhe njëherazi drejtoi urime për Kryetaren e sapozgjedhur të Kuvendit të Malit të Zi, Gjuroviq, me shpresë se bashkëpunimi i shkëlqyeshëm ndërmjet dy dhomave ligjvënëse do të vazhdojë edhe më tej. Në shenjë të atij bashkëpunimi, ai i drejtoi edhe ftesë për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Në vazhdim, siç theksohet në kumtesën e Kuvendit, kryetari nënvizoi se Evropa dhe bota ballafaqohen me sfida të jashtëzakonshme të jashtme-politike dhe të sigurisë të aspektit gjeopolitik dhe rruga më e thjeshtë për demonstrimin e lidershipit strategjik të Bashkimit Evropian dhe besueshmërisë së tij është përmes efektuimit të vendimit për fillimin e negociatave të aderimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ai potencoi se ngadalësimi i procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor e dobëson besimin e rajonit në BE, që lë hapësirë për shfaqjen e proceseve nacionaliste dhe retrograde. Sugjeroi se agresioni rus mbi Ukrainën në mënyrë shumë tragjike tregoi se sa është i rëndësishëm zgjerimi i BE-së për sigurinë, paqen, bashkimin dhe transformimin demokratik dhe prosperitetin ekonomik të gjithë kontinentit. Prandaj është e domosdoshme që i gjithë Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ka theksuar kryetari i Kuvendit. Ai ka informuar se Republika e Maqedonisë së Veriut e dënoi në mënyrë shumë të ashpër pushtimin mbi Ukrainën, sidomos vrasjet brutale të civilëve, a si anëtare e Aleancës së NATO-s dhe kandidat i besueshëm për anëtarësim në BE, ndërmorëm një sërë hapash dhe masash si përgjigje ndaj veprimeve luftarake ruse.

Njëherazi, ai informoi për vizitën e tij në Ukrainë në prill të këtij viti, që paraqet mbështetjen e tij personale dhe institucionale të përpjekjeve të institucioneve të Ukrainës të kthejnë paqen dhe kontrollin mbi gjithë territorin e vet. “Kryetarja Gjuroviq falënderoi për urimet me rastin e zgjedhjes së saj dhe theksoi se Kuvendi i Malit të Zi dhe Mali i Zi vazhdimisht e mbështesin rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Theksoi se procesi i negocimit është i gjatë për Malin e Zi, i cili për fat nuk ka çështje të hapura me shtete tjera, ndërsa përmbyllja e kapitujve varet prej shtetit. Ajo foli edhe për atë se historia e Ballkanit Perëndimor është me turbulenca dhe se integrimi i tij do të kontribuojë për stabilizimin jo vetëm të rajonit por edhe të Evropës, respektivisht, se nuk guxon të lejohet destabilizimi i rajonit për cilëndo arsye. Në këtë kontekst, anëtarësimi në NATO i të dyja shteteve është përfitim plotësues për sigurinë dhe stabilitetin e anëtareve. Kryetarja Gjuroviq po ashtu nënvizoi se Mali i Zi është i gatshëm ti ndihmojë shtetit tonë në eurointegrimet edhe në planin ekspert edhe në atë teknik, dhe shprehu shpresë se në qershor Maqedonia e Veriut do të marrë datë për fillimin e negociatave”, theksohet në kumtesën e pres-shërbimit të Kuvendit. Në raport me luftën në Ukrainë ajo potencoi se askush nuk priste se do të jemi dëshmitarë të agresionit në këtë kohë moderne dhe se Mali i Zi zotohet fuqishëm për gjetjen e zgjidhjes diplomatike të luftës dhe se Evropa dhe bota duhet të jenë po ashtu të strukturuar që ti menaxhojnë pasojat e luftës dhe të ballafaqohen me sfidat në sferën e energjetikës, ushqimit, bujqësisë dhe shumë fushave të prekura. Bashkëbiseduesit u pajtuan se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë lidhje të shkëlqyera politike, kulturore dhe ekonomike, a anëtarësimi në NATO dhe ardhmëria e përbashkët evropiane e të dyja shteteve e përforcon në plotësim aleancën dhe kontribuon në avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit, sidomos në pjesën e bashkëpunimit ekonomik ku ekziston potencial shumë i madh për intensifikimin dhe rritjen e këmbimit tregtar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here