Siç kishim dialog social për arsimin fillor dhe të mesëm, jam i hapur për bashkëpunim dhe e pres në takim sindikatën përfaqësuese për arsim të lartë, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri lidhur me protestën e paralajmëruar për nesër nga profesorët në Universitet Shën Kirili dhe Metodi, të cilët kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshje kolektive dhe rritje të pagave, transmeton Portalb.mk.
Ai tha se me rebalancin e buxhetit është paraparë që nga shtatori të kenë paga më të larta, se mjetet janë siguruar dhe se procedurën e ka filluar paraardhësja e tij Mila Carovska.
“Në ribalancin e buxhetit, edhe nga ministrja paraprake, është nisur procedurë, janë parashikuar mjete për paga më të larta edhe në arsimin e lartë. Ata paralajmëruan se ditën e parë do të zhvillojnë protestë paqësore, pastaj pres që javën e ardhshme të kemi takim të shohim që para sesionit të qershorit studentët të mos kenë pasoja dhe të ketë mirëkuptim për këtë proces”, tha Shaqiri duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve gjat[ vizitës së tij në ShF “26 Korriku” në komunën e Shuto Orizarit.
Në pyetjen nëse ka bojkot të sesionit të qershorit për dhënien e provimeve, Shaqiri u përgjigj se ashtu si edhe për grevën në shkolla, është kundër kërcënimeve për ndërprerje të mësimit.
“Këtë nuk e shoh si veprim të mirë të sindikatës pasi as unë dhe as qeveria nuk kemi thënë ndonjëherë se nuk do të ketë bisedime dhe ndërprerje të bisedimeve dhe se nuk do të kenë kushte më të mira. Në negociatat me SASHK-un kemi kërkuar mirëkuptim për disa tregues ekonomikë që nuk ishin dhe nuk vareshin vetëm nga arsimi, por edhe nga zhvillimet ekonomike që nuk janë vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon dhe më gjerë. Prandaj, nëse kjo na kërcënohet, le të jenë paralajmërime, le të realizohet sesioni i provimit”, tha Shaqiri.
Ai shtoi se duhet të diskutohen mënyrat e financimit, të cilat janë të ndryshme për institucionet e arsimit të lartë dhe se nëse buxhetet organizohen mirë, siç tha ai, mund të arrihet sukses më i madh.