Gati një javë pas vërshimeve, komuna e Tetovës akoma nuk ka kryer dezinfektimin e rrugëve

0
62

Disa ditë pas vërshimeve në Tetovë, komuna ende nuk ka bërë larjen dhe dezinfektimin e rrugëve dhe objekteve të vërshuara edhe nga kanalizimi fekal. Banorët thonë se akoma kundërmon erë e rëndë, shkruan Alsat.

“Patjetër duhet të lahen të pastrohen, kemi fëmijë të vegjël, dezinfektim i madh duhet. Shumë ndjehet kjo, ne e ndjejmë e lere më fëmijët po për fëmijët flasim dhe mërzitemi se duhet të jetë pastër se i nxjerrim para gjumit gjoja ti shëtitim pak. Dritaret s’mund ti hapim, në mëngjes pak pastaj mbyllet se shumë papastërti ka”, tha një banor.

“Komuna këtë s’mund ta pastroj se rruga është e prishur si do e pastroj. Ne rrugë nuk bëjmë e lere t`i lajmë rrugët, s’ka si. Ata duhet ta bëjnë këtë t`i pastrojnë sa të munden, se ne s`kemi mundësi”, u shpreh një banor tjetër.

“Ashtu është, na kanë dalë kanalizimet, ja ky është objekti im”, theksoi një banor.

Gazetari: A ju ka thirr dikush për dezinfektim?

“Jo jo aspak, askush. Duhet të lahen rrugët, s`ka pastërti fare aspak. Kontejnerët mbushen zbrazen krejt. Dritaret s’mund ti hapim, pluhur i madh ngritet”, tha banori.

Kreu i komunës Bilall Kasami tha se përkundër angazhimit të zjarrfikësve për dezinfektimin e rrugëve, mungon makineria për të cilën tha se ka kërkuar ndihmë nga Qeveria, por deri tani pa përgjigje.

“Nuk kemi përgjigje dhe ne nuk mund të presim në pafund. Ne veçmë kemi angazhuar njësinë kundër zjarrit dhe ndërmarrjen që të bëjnë dezinfektimin e rrugëve dhe hapësirave publike. Ne do vazhdojmë të presim nga Qeveria të na përkrah në procesin e dezinfektimit të rrugëve dhe hapësirave publike dhe private sepse është koha e nxehtë dhe nuk pret që Qeveria të bëj gjitha procedurat. Unë do kisha lutur Qeverinë që të reagoj më shpejtë se është koha e nxehtë dhe kishim momente kur ujërat e zeza u futën nëpër shtëpitë e tetovarëve dhe nuk mund të presim pafund”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Nga Qeveria thonë se kanë ndërmend të ndihmojnë, por nuk tregojnë se kur pavarësisht se po bëhen gati një javë nga vërshimet në Tetovë. Organizatat ekologjike kërkojnë urgjentisht dezinfektimin e rrugëve.

“Këtu përgjegjësia bie mbi komunën e tetovës. Fatkeqësisht kemi një komunë që për vite ka bë borxh 24 milion euro dhe tradita e partive vazhdon prioritet t’iu jep punësimeve partiake sepse me këto miliona ka mundur Tetova të ketë një super strukturë për pastrim dhe larje. Por fatkeqësisht Tetova është një ndër qytetet më të papastra në rajon”, u shpreh Ngadhnjim Memeti,  Eko Guerilla.

Deri tani mbi 70 amvisëri dhe objekte afariste kanë paraqitur dëmet nga vërshimet e të dielës. Në mesin e tyre është edhe shkolla fillore “Liria” e cila edhe pse është rikonstruuar një vit më parë, uji ka depërtuar në bodrumet e saj./ Alsat.mk

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here