Plot kërkesa për Kurtin, Azemi thotë se Qeveria diskriminoi sektorin privat me disa vendime

0
68

Sektori privat i Kosovës vazhdon të jetë i pakënaqur me disa vendime që Qeveria i mori për ta.

Gjatë ditës së djeshme, kryetari i Sindikatës së këtij sektori, Jusuf Azemi, i ka dërguar edhe një letër kryeministrit Kurti, duke kërkuar disa përgjigje për trajtimin e punëtorëve të sektorit privat, shkruan lajmi.net.

Azemi, në një prononcim për lajmi.net këtë letër e ka quajtur si rikujtim për Qeverinë Kurti.

“Ne ia kemi rikujtuar Qeverisë tri pikat të cilat kanë mbështetje ligjore, ose në një mënyrë se janë ata vetë që i kanë nxjerrë këto vendime. Ne kemi kritikuar ata se përse janë paguar mjekët infermierët dhe jo punëtorët teknik dhe sigurimi fizik. Po ashtu për kushtëzimin që ua ka bërë punëtorëve të këtij sektori në “Pakon për Përballje me Inflacionin”. Është diskriminim njerëzor dhe shumë e dëmshëm.”, ka thënë Azemi.

Azemi ka kritikuar vendimin e qeverisë për ndarjen e parave për rrezikshmërinë nga COVID-19 për mjekë e infermierë, nga e cila janë përjashtuar personeli teknik që punojnë në spitale.

“Qeveria e ka vazhduar një vendim të mëhershëm, duke i dhënë nga 60 euro çdo muaj për mjekët e infermierët, për shkak të rrezikut nga Covid-19 dhe ne po themi se aq sa është i rrezikuar një mjekë e infermierë është edhe punëtori teknik e personeli i sigurisë që punojnë në këto vende”, thotë Azemi.

Si diskriminim nga Qeveria, Azemi e sheh edhe faktin se punëtorët e sektorit privat nuk patën mundësi të dytë për plotësuar formularët për shtesat prej 100 eurove.

“Çështja e dytë është diskriminimi, kur qeveria ndau 100 euro për sektorin privat shumë punëtor kanë bërë gabime dhe nuk kanë ditë me i mbush formularët dhe kemi kërkuar që afati të shtyhet 2-3 ditë për këta që kanë bo gabime që dikush të ua plotësoj formularët dhe mjetet të shkojnë aty ku e kanë pas dedikimin dhe na e pyetëm që a është ma mirë që këto mjete me qenë në fondin e zbrazët të punëtorëve të varfër apo të qeverisë e cila për momentin ka më shumë se 870 milionë të deponuara.”, ka deklaruar Azemi.

Në fund, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat tha se ata kanë rënë dakord që t’i marrin vetëm 50 euro nga Qeveria, pa pasur nevojë për të kushtëzuar kompanitë sepse nuk janë në gjendje të mirë ekonomike, por prapë nuk kanë marrë përgjigje nga qeveria.

Ndryshe, kjo nuk është letra e parë me kërkesa dhe kritika që Sindikata e Sektorit Privat ia ka dërguar Qeverisë.

Ekzekutivi i Kosovës më 3 shtator të këtij viti prezantoi “Pakon për Përballje me Inflacionin”.

Kjo pako parashihte mbështetje financiare me nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike.

Por, për klasat punëtore në sektorin privat vendimi i qeverisë ishte ndryshe, pasi që Qeveria Kurti planifikoi subvencionim me nga 50 euro për tre muaj në rast se rritej paga deri në 100 euro nga kompanitë në të cilat ata punonin. /Lajmi.net/

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here