Hysamedin Ferajt, këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, i është rikthyer në vëmendje një postim i tij i bërë në vitin 2019, ku ai sulmonte presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se kjo e fundit është e shkolluar dhe besnike në shkollën e nacionalizmit serbo-grek.
Madje Feraj, në këtë postim aludonte se, Osmani e tejkalon nacionalizmin serb, pasi ajo sipas Ferajt, kërkon të hiqet dorë nga bashkimi kombëtar më Shqipërinë, shkruan lajmi.net.
Përveç këtyre, këshilltari i Kurtit, akuzonte Osmanin se kjo e fundit ka kryer një detyrë në favor të shtetit malazez, duke votuar demarkacionin me Malin e Zi.
“Të mos zgjatemi: “e shkolluemja” Vjosë di të paralajmëroj kërcënueshëm vetëm kundër bashkimit kombëtar shqiptar! Madje duke tejkaluar nacionalizmin serb: kërkon të heqim dore perhershëm jo vetëm nga përpjekjet praktike por nga vetë ideja e ndërgjegjes shqiptare! Nesër i vjen radha të na kërkoj të njëjtën gjë për Mitrovicën dhe Veriun e Kosovës. Mbasi kundër shqiptarëve e në favor të shtetit malazez tashmë e ka kryer një detyrë duke votuar për 8200 hektarë territor të shtetit që pretendon ta mbrojë. Vërtetë e shkollueme dhe besnike, por nga veprimet e nga fjalët, duket qartë e shkollueme e besnike në shkollën e nacionalizmit serbo-grek”, kishte thënë Feraj.
Edhe pse ky postim i tij, u kritikua shumë këto ditë. Feraj në reagimin e tij të bërë në lidhje me këtë, zgjedh të mos merret me komentet e tij, por të sulmoj mediat dhe gazetarët.
Por, përveç Ferajt që kishte këtë qëndrim, duket sikur në të njëjtin mendim ishin edhe disa figura të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje.
Një nga këta persona është ish ministri i Shëndetësisë dhe ish kandidati për kryetar komune të Prishtinës, Arben Vitia.
Vitia, edhe pse nuk ka ndarë ndonjë koment në postimin e Ferajt, ndaj qëndrimit të këtij të fundit në Facebook, ka reaguar me një pëlqim “Love”. /Lajmi.net/