PSZH nuk dëshiron ta humbas Leo Mesin dhe ka propozuar rinovimin e tij. Kampioni argjentinas nënshkroi një kontratë dyvjeçare në gusht të vitit 2021, me opsion për një vit tjetër, që nuk është ushtruar deri më tani.
Sipas “Cadena Ser”, klubi i kryesuar nga Naser Al-Khelaifi dëshiron të shkojë më tej, duke i ofruar shtatë herë fituesit të “Topit të Artë” një kontratë njëvjeçare, plus opsionin edhe për një sezon tjetër, pra deri në vitin 2024, me mundësi vazhdimi deri më 2025, kur ish-kapiteni i Barçës do të mbushë 38 vjeç. Kushtet ekonomike do të jenë praktikisht identike me ato aktuale (30 milionë neto në sezon).
Pas një sezoni jo fort pozitiv (përshtatjeje), Messi më në fund është rikthyer në nivele të larta. Fillimi i mbarë i sezonit me PSZH-në u konfirmua edhe me Argjentinën, e cila paraqitet si një nga favoritët e mëdhenj për të fituar Botërorin “Katar 2022”. Një lëvizje e parizienëve që kërcënon të bllokojë Barcelonën, e cila ëndërron rikthimin e madh, edhe nëse zyrtarisht nuk ka lëvizur ende në këtë drejtim.