Shkup, 6 tetor – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini është duke marrë pjesë në Konferencën e 9-të Ministrore për Mjedisin Jetësor për Evropën, që po mbahet nga 5 deri më 7 tetor në Nikozi të Qipros dhe e theksoi rëndësinë e mbështetjes nga OKB-ja dhe UNECE në përpjekjet për ngritjen e standardeve mjedisore dhe harmonizimin me marrëveshjet dhe obligimet ndërkombëtare, duke marrë parasysh rrethanat kombëtare dhe nevojat specifike të vendit.
Konferenca ministrore është e fokusuar në infrastrukturën e qëndrueshme, turizmin e qëndrueshëm dhe arsimin për zhvillim të qëndrueshëm.
Ministri Nuredini kishte fjalim në ngjarjen shoqëruese: “Bashkëfinancimi i aktiviteteve për zbatimin e rekomandimeve të Rishikimit të Performancës Mjedisore (EPR) ” i cili kishte për qëllim promovimin e funksionalizimit të rekomandimeve të Rishikimit të Performancës Mjedisore në Marok, Maqedoninë e Veriut, Taxhikistan dhe Uzbekistan me qëllim që të njëjtët të përmirësohen.