Presidenti Stevo Pendarovski mbrëmë i ka pranuar pjesëmarrësit e konferencës “Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor” që është organizuar në Shkup nga Instituti Aspen nga Gjermania në bashkëpunim me MPJ-në, njofton Portalb.mk.
Në takim, Pendarovski është njoftuar me programin dhe qëllimet e konferencës, e drejtuar të ofrojë platforma për pjesëmarrësit nga Ballkani Perëndimor, Gjermania, BE, SHBA, por edhe organizatat ndërkombëtare dhe rajonale të diskutojnë për potencialet e agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
“Presidenti Pendarovski duke e përshëndetur mbajtjen e konferencës, theksoi se në kohën kur përballemi me krizë energjetike dhe turbulenca ekonomike, nuk guxojmë që ta harrojmë agjendën e gjelbër. Presidenti ka vlerësuar se konferenca është mundësi e mirë për diskutim dhe identifikim të sfidave kryesore dhe potencialeve të bashkëpunimit rajonal, si faktor për rajon stabil dhe më prosperues, dhe nevojës së avancimit të tij. Aspekt i rëndësishëm në atë kontekst, sipas presidentit, është perspektiva për integrim të rajonit në Bashkimin Evropian”, thonë nga Presidenca.
Përndryshe dje dhe sot në Shkup mbahet Konferenca Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Fokusi i diskutimit në ditën e parë u vë në qëllimet e përcaktuara nga konkluzionet e Samitit të Procesit të Berlinit – i bashkëkryesuar nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, në vitin 2020 – Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe plani i tij i veprimit në drejtim të zvogëlimit të emetimit të dioksid karbonit dhe ndotjes së rëndë të ajrit në rajon.