Bekteshi para delegacionit gjerman prezantoi mundësitë për investime në burimet e rinovueshme të energjisë

0
43

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sot i prezantoi mundësitë për investime në energji, kryesisht në burimet e rinovueshme të energjisë që rrjedhin nga Ligji për Energjetikë si dhe Ligji për Investimet Strategjike para delegacionit të biznesit gjerman që shoqëron presidentin gjerman Frank Valter Shtajnmajer, i cili është për vizitë zyrtare në vend.

Siç informojnë nga Ministria e Ekonomisë, Bekteshi në takim ka theksuar se edhe përkundër krizës energjetike që preku jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe mbarë Evropën, zhvillimi dhe investimet në sektorin energjetik është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë me synim kryesor sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji, si dhe duke shkuar drejt një ekonomie të gjelbër.

“Qëllimet kryesore të politikës energjetike të Maqedonisë së Veriut janë tërheqja e investimeve për ndërtimin e kapaciteteve energjetike dhe rritja e shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, përkatësisht investimi në energjinë e gjelbër që do të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit, jetës dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike, tha ministri Bekteshi dhe shtoi se vendi tashmë ka miratuar Strategjinë e Zhvillimit të Energjetik deri në vitin 2040, si një nga dokumentet strategjike më të rëndësishme për vendin tonë në fushën e energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Republika Federale e Gjermanisë kanë një bashkëpunim të shkëlqyer bilateral mes dy vendeve, i cili është në rritje të vazhdueshme dhe shtoi se Gjermania është partneri i parë dhe më i madh ekonomik i Maqedonisë së Veriut, e cila eksporton rreth 45 për qind totalit të eksporteve të saj në Gjermani.

Nëë vend ka rreth 200 kompani gjermane, përfshirë WPD, e cila investon rreth 500 milionë euro në një termocentral me erë në Kumanovë – Kriva Pallankë, dhe që paraqet një hap serioz në prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme.

Delegacioni i biznesit, i cili përfshin përfaqësues të disa kompanive, institucioneve shtetërore dhe bankave gjermane, udhëhiqet nga Shtefan Vencel, Sekretar Parlamentar i Shtetit nga Ministria Federale e Ekonomisë dhe Klimës, dhe Dr. Johanes Shojbe, këshilltar dhe drejtues i departamentit të ekonomisë në zyra e presidentit gjerman.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here