CNN: Lufta Rusi-Ukrainë, në horizont a po shfaqet një katastrofë e dytë?

0
24

Pas pushtimit rus të Ukrainës dhe pasojave shkatërruese humanitare që solli, do të ishte e çuditshme ta lejosh Moskën të marrë rolin e paqe-bërësit. Mjerisht kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur në një cep të botës. Në vazhdën e një përleshje të re ushtarake midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në vitin 2020, Rusia u lejua të ndërmjetësonte një armëpushim dhe të mbante nën kontroll të dyja palët.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të cilat dikur kishin luajtur një rol balancues në Kaukazin e Jugut, u tërhoqën nga diplomacia aktive dhe e lanë Rusinë të vepronte si ndërmjetësuesja e vetme. Moska vendosi paqeruajtës në terren për të qetësuar dhe monitoruar situatën.

Por tani duket se delegimi i kësaj detyre ishte një ide e keqe. Sepse nën hijen e luftës së Ukrainës, kjo politikë po shkakton një katastrofë tjetër humanitare dhe po i komprometon rëndë interesat e Perëndimit në rajon. Në kushtet kur Rusia është dobësuar ndjeshëm për shkak të humbjeve të rënda në Ukrainë, nuk ka një arbitër efektiv midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Duke përdorur pasurinë e tij të konsiderueshme të naftës dhe gazit, Azerbajxhani ka ushtruar presion për të pasur një avantazhin maksimal në terren. Për momentin, protestuesit me mbështetjen e qeverisë azere, thonë ekspertët, po bllokojnë Korridorin Lachin, rruga kryesore që lidh rreth 120.000 armenë etnikë të Nagorno-Karabakut me botën e jashtme.

Analistët politikë azerë, thonë se protestat në Azerbajxhan janë të paligjshme nëse ato nuk kanë miratimin e qeverisë. Furnizimet me ushqime për këtë rajon janë kufizuar shumë që nga 12 dhjetori 2022, kur nisi bllokada. Dyqanet ushqimore po e racionojnë ushqimin, me pak fruta ose perime të freskëta, ndërsa ka një mungesë të madhe të furnizimeve mjekësore, deklaruan banorët në fund të dhjetorit.

Azerbajxhani thotë se bllokada është një kundërpërgjigje ndaj aktiviteteve në minierat në zonat e kontrolluara nga armenët. Por në vend se ta çojë çështjen në ndërmjetësim ndërkombëtar, ajo ka vendosur të bllokojë tranzitin në hyrje, derisa të plotësohen kushtet e tij, një shkelje kjo e ligjit ndërkombëtar dhe humanitar.

Armenët që kam takuar nga Nagorno-Karabakh janë njerëz të përzemërt, me një identitet të thellë kulturor dhe me një besim të krishterë. Edhe në ditët më të rënda të krizës, disa u përpoqën t’u ofronin familjeve të tyre një lloj atmosfere të festës së Krishtlindjes.

Por më të pambrojturit po i ndjenin pasojat e bllokadës. Dr. Biayna Sukhudyan, e cila është bllokuar në Nagorno-Karabakh, na tha në fund të dhjetorit se fëmijët po shfaqnin shenja të stresit kronik, duke përfshirë kriza nervore. UNICEF ka paralajmëruar se fëmijëve u mungojnë ushqimet bazë dhe shërbimet thelbësore.

Disa prej tyre janë ndarë nga prindërit, ose kujdestarët ligjorë ndodhen në anën tjetër të rrugës së bllokuar. “Shqetësimi i madh i njerëzve është t’i mbajnë fëmijët e tyre në të ngrohtë dhe të ushqyer”- deklaroi Sukhudyan në një bisedë telefonike. Ajo tregtoi se si njerëzit po mbijetojnë duke ndihmuar njëri-tjetrin.

“Nëse janë dy nëna dhe vetëm njëra ka qumësht për bebe, ajo do ta ndajë me gruan tjetër dhe ta ushqejë pak më shumë me gji”- thekson ajo. SHBA, BE, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe më shumë se një duzinë vendesh – përfshirë Kanadanë dhe Meksikën, kanë bërë thirrje që Azerbajxhani të zhbllokojë rrugën për në Nagorno-Karabakh.

Por këto thirrje kanë rënë në vesh të shurdhër. Armenët e shohin atë si një strategji të Azerbajxhanit për t’i vdekur urie ose për t’i detyruar të largohet nga enklava e diskutueshme midis 2 vendeve. Rusia nuk ka qenë në gjendje të bëjë ndonjë lëvizje të rëndësishme për ta zbutur këtë krizë.

Por nga ana tjetër ka hezituar të lejojë ndërhyrjen e vendeve perëndimore për të hequr bllokadën. Ajo preferon të jetë fuqia kryesore në terren, duke përdorur levat që zotëron për të çuar përpara interesat e saj rajonale. Një rrjet faktorësh ekonomikë dhe strategjikë e kanë lidhur Moskën me Turqinë dhe aleaten e saj, Azerbajxhanin.

Në kushte kur gjendet nën sanksionet e Perëndimit, dhe i ka tensionuar marrëdhëniet e saj me shumë partnerë ekonomikë, Moska është bërë gjithnjë e më shumë e varur nga Turqia për shmangien e tregtisë dhe sanksioneve. Turqia është bërë një lehtësuese e madhe për eksportin e naftës dhe gazit rus si dhe importin e teknologjive strategjike, shumë prej të cilave janë të ndaluara nga Perëndimi.

Ndërsa lidhjet ruso-turke janë forcuar akoma më shumë, Rusia ka nguruar që të zmbrapsë sjelljen e Azerbajxhanit. Kjo e ka lënë situatën në rënie të lirë, duke ecur drejt rezultateve më serioze dhe potencialisht vdekjeprurëse.

Ashtu si në ditët e para të masakrës së Srebrenicës, paqeruajtësit ndërkombëtarë po dështojnë të veprojnë para se të humbin jetën mijëra njerëz. Po ashtu, ajo vendos një precedent të rrezikshëm për konfliktet e ardhshme, me njërën palë që asfikson një komunitet rival duke i ndërprerë furnizimet e tij, ose duke detyruar një evakuim ose pranimin e kushteve të tij të negociatave.

Michael Rubin nga think-tanku “American Enterprise Institute”, që e vëzhgon rajonin nga afër, më tha se është i shqetësuar për rrezikun e spastrimit etnik, në rast se situata lihet e pakontrolluar dhe e pambikëqyrur nga fuqitë botërore.

“Pyetja kryesore është se si mund të dërgojmë vëzhgues diplomatikë apo ushtarakë në Nagorno-Karabakh. Gjenocidi ndodh zakonisht në hije. Nëse jemi në gjendje të hedhim dritë në rajon, atëherë mund të parandalojmë në mënyrë proaktive pasojat më të rënda”- theksoi Rubin.

SHBA-ja nuk është e pafuqishme në raport me këtë situatë. Ajo mund të ushtrojë presion për të krijuar një linjë ajrore transporti humanitare për të ofruar furnizime për komunitetet e Nagorno-Karabakh, ose të kërkojë veprime të mëtejshme nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili u takua më 20 dhjetor 20022 për të diskutuar mbi situatën.

Po ashtu Amerika ka një levë të drejtpërdrejtë ndikimi mbi Turqinë dhe Azerbajxhanin, me të cilën mund të stabilizojë situatën, duke përdorur një sërë mjetesh diplomatike dhe ekonomike. “Kur administrata Trump vendosi vetëm disa sanksione ndaj Turqisë mbi çelikun për lirimin e pastorit amerikan Andrew Brunson, kjo krijoi presion të jashtëzakonshëm mbi presidentin turk Erdogan. Pse duhet të mos e bëjmë këtë për Nagorno-Karabakun?”- tha Rubin, shkruan CNN.

Rusia dhe Turqia kanë synuar ta dominojnë Kaukazin e Jugut në kurriz të fqinjëve të tyre më të vegjël. Por ai model ka rezultuar i papërshtatshëm për të mbrojtur jetën e njeriut dhe një rend paqësor të bazuar në rregulla. Në një kohë kur Perëndimi po konkurron me Rusinë për Ukrainën – e cilësuar si një luftë e demokracisë kundër autokracisë – kjo është një arenë jetike për të theksuar të njëjtin argument, dhe për të provuar se Perëndimi ka një ndikim të vërtetë në rajonin post-sovjetik.

Sa më gjatë që ta dominojnë situatën Rusia dhe Turqia, aq më e vështirë do të jetë për fuqitë perëndimore që t’i rikthejnë gjërat në ekuilibër. Pra me kalimin e kohës stabilizimi i Kaukazit Jugor do të bëhet më i kushtueshëm. SHBA-ja dhe BE-ja ia lanë në mënyrë të pamatur Rusisë ruajtjen e paqes në Kaukazin e Jugut. Tani fuqitë perëndimore duhet të ndërhyjnë me peshën e tyre të plotë diplomatike për ta korrigjuar këtë gabim.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here