Nga i urryer në triumfues: Rikthimi i mrekullueshëm i Granit Xhakës te Arsenali – Telegrafi

0
14

Kohës së Granit Xhakës në Arsenal duket se po i vjen fundi. Mesfushori po punon për një rikthim në Gjermani dhe klubi nga Londra Veriore është në bisedime të avancuara me Bayer Leverkusenin.

Flitet për një marrëveshje prej 15 milionë euro dhe nëse transferimi finalizohet, ai do t’i japë fund një aventure 7-vjeçare të mesfushorit shqiptar në Arsenal.

Jo shumë kohë më parë, shumica e tifozëve të Topçinjve do ta kishin çuar me kënaqësi Xhakën në Gjermani vetëm për ta larguar nga klubi, por tani ai pritet të marrë një ovacion të fortë nga 60,000 të pranishëm në “Emirates Stadium” në atë që mund të jetë ndeshja e tij e fundit për klubin të dielën kundër Wolves.

Përpara asaj që duket të jetë një ditë emocionale për Xhakën, mediumi i njohur, Goal, ia ka hedhur një vështrim momenteve të mëdha, por edhe të ulëta të tij gjatë kohës dramatike me ‘Gunners’…

Nënshkrimi i Xhakës me Arsenalin

Arsenali nënshkroi me Granit Xhakën nga Borussia Monchengladbach në maj të vitit 2016. “Granit është një lojtar i ri emocionues, tashmë me përvojë të mirë në Ligën e Kampionëve dhe Bundesligë. Ne e kemi parë atë për një kohë të gjatë dhe ai është një lojtar që do i shtojmë kualitet skuadrës sonë”, kishte thënë Wenger në prezantimin e Xhakës.

Tifozët e Arsenalit kishin kohë që bënin thirrje për blerjen e një mesfushori mbrojtës, ndaj ardhja e 23-vjeçarit u prit me shumë emocione.

Fillimi i ngadaltë

Fillimi i Xhakës në Arsenal nuk ishte i lehtë. Duke pasur parasysh se Topçinjtë kishin shpenzuar 35 milionë funte për ta sjellë atë nga Gjermania, shumica prisnin që ai të ndikonte menjëherë, por nuk ishte kështu. Në fakt, Xhaka startoi vetëm gjashtë ndeshje në kampionat para dhjetorit gjatë sezonit të tij debutues në Angli.

“Nuk ka të bëjë me cilësinë e tij për momentin pasi ai po përshtatet me ritmin e lojës angleze. Për mua, ka të bëjë me çifte që punojnë së bashku. [Francis] Coquelin dhe [Santi] Cazorla kanë punuar mirë së bashku. Ai do të luajë ndeshje dhe çdo javë është më i fortë dhe më i mirë. Ai do të ketë një ndikim të madh si lojtar”, kishte thënë Wenger kur u pyet për minutat e pakta të Xhakës.

Goli i tij i parë

Goli i parë i Xhakës për Arsenalin erdhi në një fitore 4-1 kundër Hull City në shtator 2016. Pasi hyri si zëvendësues në pjesën e dytë, mesfushori me një nga ato goditjet e fuqishme me këmbën e majtë nga distanca shënoi në minutën e fundit. Ishte një gol i mrekullueshëm.

Kartonët e kuq dhe kritikat e Wengerit

Xhaka kur kaloi në Arsenal kishte një reputacion si një djalosh gjaknxehtë dhe nuk vonoi shumë për ta shfaqur këtë gjë. Ai u përjashtua dy herë brenda gjashtë muajve të tij të parë si lojtar i Arsenalit.

Wenger e kishte kritikuar mesfushorin mbrojtës për të cilin kishte shpenzuar shumë para. Trajneri  njohur francez kishte thënë se Xhaka duhet të merr vendime më të mira në fushë, pasi në disa prej tyre nuk ishte i kënaqur.

Trofeu  i parë

Sezoni debutues i Xhakës në Angli mund të ketë qenë me ngritje-zbritje, por sigurisht që përfundoi me një nivel të lartë në Wembley. Pakkush i dha Arsenalit ndonjë shans në finalen e FA Cup kundër kampionëve Chelseat, por ata i befasuan të gjithë me një fitore 2-1.

Xhaka bëri një paraqitje të shkëlqyer në finale teksa fitoi trofeun e tij të parë të madh me fanellën e Arsenalit.

Kapiten i Arsenalit 

Pasi Wenger u largua dhe u zëvendësua nga Unai Emery, ndikimi i Xhakës në Arsenal vazhdoi të rritet. Ai do të bëhej një pjesë integrale e ekipit, edhe nëse popullariteti i tij në mesin e tifozëve nuk ishte aspak i madh.

Shumë tifozë mendonin se Xhaka ishte një lojtar që simbolizonte rënien e Arsenalit për shkak të një sërë gabimesh të mëdha që ai kishte bërë gjatë kohës së tij në klub. Por Emery e vlerësoi shumë, dhe kjo u bë e qartë kur ai emëroi kapitenin e klubit të tij për sezonin 2019-20.

Momenti më i errët

Marrëdhënia e pakëndshme e Xhakës me tifozët e Arsenalit u përhap në mënyrën më brutale gjatë një ndeshjeje kundër Crystal Palace në Emirates në tetor 2019. Tifozët e zemëruar tallnin mesfushorin, kur ai po largohej ngadalë nga fusha duke u zëvendësuar në pjesën e dytë dhe Arsenali e kishte humbur epërsinë prej dy golave.

Xhaka ka reaguar ndaj thirrjeve duke bërë gjeste të tërbuara ndaj fansave dhe dukej qartë se i ofendoi në një moment. Në atë moment, Xhaka dukej se nuk kishte rrugë kthimi. Të gjithë supozuan se ai nuk do të luante më për Arsenalin.

Iu hoq shiriti i kapitenit

Pas incidentit kundër Crystal Palace, Emery reagoi duke i hequr Xhakës kapitenin vetëm disa javë pasi ia dorëzoi. Ishte një vendim që e shkatërroi Xhakën, i cili ndjeu se ishte momenti për tu larguar nga klubi.

Pierre-Emerick Aubameyang e zëvendësoi atë si kapiten.

Pika e kthesës

Xhaka ishte vendosur të largohej gjatë afatit kalimtar të janarit 2020. Edhe pse Emery kishte filluar ta integronte sërish në ekip pas incidentit kundër Palace, mesfushori kishte vendosur të kthehej në Gjermani.

Një lëvizje në Hertha Berlin ishte mbyllur, por më pas Mikel Arteta mbërriti për të zëvendësuar Emeryn dhe ai ishte i vendosur të mbante Xhakën në klub. Trajneri i ri zhvilloi menjëherë bisedime me mesfushorin dhe e bindi që të qëndronte të paktën deri në fund të sezonit.

Një tjetër trofe në FA Cup

Pasi ra dakord për të qëndruar, Xhaka u bë një lojtar shumë i rëndësishëm nën drejtimin e Artetës dhe filloi të luante një futboll të shkëlqyer. Ai dukej sërish i lumtur dhe paraqitjet e tij ishin shumë të rëndësishme për Arsenalin që fitonte në FA Cup atë sezon.

Xhaka ishte i shkëlqyer në Wembley dhe bëri një paraqitje të mirë në finale, ku Chelsea u mund 2-1. Pas asaj që ai kishte kaluar në gjysmë të sezonit të parë, ishte mbresëlënëse të shihje se po e përfundonte sezonin me fanellën e Arsenalit dhe me një trofe në duar.

Kontrata e re

Kishte një shans të madh që Xhaka të largohej nga Arsenali në verën e vitit 2021, me Jose Mourinhon që e donte te Roma. Arsenali ishte i hapur për ta lënë të ikte, nëse do të vinte një ofertë e përshtatshme.

Por kur Roma nuk arriti të paguante shifrën që dëshironin, Topçinjtë në vend të kësaj i dhanë mesfushorit një marrëveshje të re, duke treguar se ata ende e vlerësonin shumë atë.

Goli i Man Utd

Sezoni 2021-22 ishte një sezon i mirë për Xhakën. Ndërsa vazhdonte, ai dukej si një lojtar i ri nën drejtimin e Mikael Artetas, duke luajtur në një rol më të avancuar në mesfushën e Arsenalit.

Popullariteti i tij te tifozët po rritej, dhe kështu ishte një moment i veçantë kur ai shënoi një gol mahnitës për të vulosur një fitore 3-1 kundër Manchester United në Emirates. Ishte e çuditshme, pasi tifozët e votuan si golin e sezonit.

I rrethuar nga fansat

Kur Arsenali luante në Bournemouth në fillim të sezonit 2022/23, pati një moment në pjesën e dytë kur tifozët dëgjoheshin duke brohoritur emrin e Xhakës. Ishte kaq e dukshme sepse nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe ishte një shenjë e qartë se si ai kishte arritur t’i kthente gjërat nga vetja.

Pastaj, në ndeshjen në Brentford në shtator, ndodhi përsëri – por këtë herë brohoritja mund të dëgjohej me zë të lartë dhe të qartë dhe u këndua pa pushim për të.

“Kurrë, kurrë nuk e kisha menduar se kjo do të ndodhte”. Të ishe para tyre [tifozëve udhëtues] ishte shumë emocionuese pas asaj që ndodhi tre vjet më parë”, ka thënë Xhaka pas ndeshjes.

Një gol në derbin e Londrës së Veriut

Xhaka tashmë po shijonte një sezon ëndrrash përpara se derbi i Londrës së Veriut të zhvillohej në tetor. Por gjërat më pas u bënë edhe më mirë kur ai doli për të shënuar golin e tretë vendimtar, teksa Arsenali mposhti rivalët e Tottenhamit me rezultat 3-1 në një Emirates që ishte i stërmbushur dhe i egër.

Pasi shënoi, ai qëndroi afër tifozëve duke marr brohoritjet e tyre. Ishte një moment i veçantë.

Një lamtumirë triumfuese

Edhe pse Arsenali ra në pengesën e fundit dhe humbi titullin e kampionit në Ligën Premier, ky ka qenë një sezon triumfi për Xhakën. Historia e kthimit të tij ka qenë një nga pikat kryesore të një fushate të jashtëzakonshme dhe fakti se ai duket se do t’i jepet një lamtumirë emocionale nga tifozët pas ndeshjes kundër Wolves të dielën, tregon se sa shumë i ka kthyer gjërat në favor të tij.

Dikur i përbuzur, tani ai nderohet dhe kjo tregon shumë për karakterin e tij dhe sezonin që ka shijuar. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here