Partitë e reja shqiptare, Analistët: Meritë ka edhe VMRO, qëllimi të dobësohet BDI dhe aleanca pro BE-së

Në “operacionin” e krijimit dhe formimit të partive të reja shqiptare “meritë” ka edhe opozitarja VMRO-DPMNE, vlerëson në një prononcim për Indeks.mk, gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend Aco Kabranov. Sipas tij, qëllimi i VMRO-DPMNE-së është që ta dobësojë partinë kryesore shqiptare në vend BDI-në e Ali Ahmetit, dhe me këtë edhe aleancën e forcave politike që janë pro rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian (BE).

“Trendi i formimit të partive të reja në bllokun politik shqiptar, të ashtuquajturat parti “njeri”, pasi që ato formohen për kauzën dhe shpëtuar karrierën politike të një njeriu çon në drejtim të fragmentalizimit të elektoratit, ndërsa ky operacion kuptohet se nuk është i rastësishëm. Sigurisht se në këtë operacion ‘meritë’ ka edhe opozitarja VMRO-DPMNE e cila nuk fsheh se ka për qëllim ta dobësojë BDI-në si parti kryesore në bllokun politik shqiptar, dhe me këtë veprim dëshirohet që të dobësohet edhe aleanca e forcave politike që kanë për synim integrimin e vendit në BE”, tha Kabranov për Indeks.mk

Edhe pse, shprehet ai, partitë e sapoformuara shqiptare janë deklaruar se janë për rrugëtimin e mëtejshme të vendit drejt BE-së, por siç thotë Kabranov: “nuk e dimë se sa të sinqertë janë në këto deklarime”.

“Përveç afërsisë me VMRO-DPMNE-në u mungon edhe afërsia me ‘Levicën’ dhe të tregojnë se formimi i tyre ka cak tjetër, përveç betejës me BDI-në”, nënvizon ai.
Ismet Ramadani nga Këshillit Euro-Atlantik i Maqedonisë konsideron se formimi i partive te reja gjithnjë po arsyetohet me pluralizmin politik të sistemit demokratik. Mirëpo, potencon ai, fare nuk po mendohet se a kanë shqiptarët kapacitet të duhura njerëzore për aq shumë parti politike.

“Logjikshëm shtrohet pyetja te qytetarët se këto parti po formohen për interesa grupore dhe inate personale apo për të mirën e shqiptarëve. Sa i përket përcaktimit në diskursin euroatlantik nuk ka asnjë dyshim për orientimin e partive politike shqiptare. Prandaj VMRO-DPMNE nuk mund të ndikon në përcaktimin pro-perëndimor të partive shqiptare. Por partitë shqiptare duhet të jenë të kujdesshme që për interesa lukrative dhe pushtet ta ndihmojnë një politikë që e ndërpret ose e pengon rrugëtimin euro-integrues të Maqedonisë së Veriut”, shprehet Ramadani.

Numri i partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka arritur në nëntë, por ku numër nuk është përfundimtar bazuar në paralajmërimet për formimin edhe të dy partive tjera. Vetëm gjatë këtij muaji janë formuar dy parti.