Me kushtëzimin e ndryshimeve kushtetuese, që janë edhe kusht i vetëm që Maqedonia e Veriut të ecë pa pengesa në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian (BE), Bilall Kasami, Izet mexhiti dhe Afrim Gashi po rreshtohen në një vijë me opozitarin Hristijan Mickoski dhe forcat destruktive pro-ruse në vend që duan ta pengojnë këtë rrugëtim, shkruan Indeks.mk
“Opozita në korrelacion me pushtetin çdoherë ofron alternativat e veta që e llogarit që janë më të favorshme për konsum në raport me opinionin publik. Por, kjo praktikë e njohur e subjekteve politike vlen vetëm kur alternativat e tyre janë më të pranuara tek elektorati. Në rastin konkret, Bilall Kasami merr përsipër një rrezik të madh në politikë. Disponimi i elektoratit shqiptar sa u përket euro integrimeve është në masën 99 për qind. Me një qëndrim të tillë, lideri i Lëvizjes Besa pozicionohet në anën e opozitës maqedonase, VMRO-DPMME dhe Levicës”, thotë për Indeks.mk, Driton Zenku – gazetar dhe njohës i zhvillimeve politike në vend.
Sipas tij, ky qëndrim prodhon dy efekte anësore.
“E para, del kundër qëndrimit të elektoratit shqiptar për opsionin Evropian, dhe e dyta, rreshtohet me dy partitë maqedonase që etiketohen si parti me qëndrime pro ruse. Një dukuri tjetër që del në sipërfaqe është edhe mos uniteti mes tre partive të koalicionit opozitar shqiptar. Kasami shpalosi qëndrimet e partisë së tij dhe nuk foli në emër të bllokut opozitar. Pra vërejmë një dallim serioz për një çështje po aq serioze siç janë ndryshimet kushtetuese që hapin dyert e Maqedonisë së Veriut për Evropë. Pres që dy partitë e tjera, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike sot apo në ditët në vijim të deklarohen për këtë qëndrim të Kasamit, që të mos krijohet bindja në opinion që ndryshimet kushtetuese sabotohen nga të gjitha partitë e bllokut”, theksoi Zenku.
Realiteti politik në vend, shprehet ai, por edhe zhvillimet në rajon dhe më gjerë, nuk japin hapësirë për një manovrim të tillë politik. Informacionet flasin që shteti fqinj, Serbia nën ndikimin e Moskës po tenton të destabilizon rajonin.
“Në rrethana të tilla, deklaratat e Kasamit nuk shkon në favor të politikave të Uashingtonit dhe Berlinit. Nëse Aleanca për Shqiptarët e cila e propozoi heqjen e 20 përqindëshit nga kushtetuta, po tregon mirëkuptim, qëndrimi i Lëvizjes Besa do të nënkuptohej si alibi për të mos përkrahur ndryshimet kushtetuese. Përfundimisht, qëndrimi i Kasamit është delikat dhe me risk të madh rreziku në aspektin politik për partinë që përfaqëson. Të radhitesh në anën e VMRO-DPMNE dhe Levicës është një guxim goxha i madh i Bilall Kasamit. Mbetrt të shohim se si do të sillen Izet Mexhiti dhe Afrim Gashi”, nënvizon Zenku.