“Takimet…” e 7-ta, gjallëruan jetën e shqiptarëve të Pellagonisë

Fundjavën që lamë pas(28-29 shtator), u mbajt edicioni i manifestimit kulturor Takimet e Pellagonisë, me dy aktivitete kryesore: Konferencën shkencore dy ditore, me temë “Etnokultura e Pelagonisë (Prilep, Krushevë, Dollnen)” dhe Koncertin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, organizuar nga Shoqata e Etnokulturës Shqiptare, “Etnoalb”.

Çdo vit ky manifestim gjallëron këto mjedise, ku jetojnë shqiptarët e mbetur disi në margjinat e vëmendjes së pjesës tjetër më homogjene të shoqërisë shqiptare në Maqedoni dhe më gjerë.

Në konferencën që sivjet u mbajt në qytetin e Krushevës, morën pjesë 30 studiues nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.

Përcaktimi për këtë qytet, u bë për shkak se në këtë komunë jetojnë shumë shqiptarë në shtatë fshatra, që e kalojnë 20 përqindëshin e popullatës së përgjithshme.

Kumtesat, që kryesisht sollën lëndë studimore nga fusha e etnokulturës dhe folklorit shqiptar të rajonit të Pelagonisë, ishin me plot prurje të reja, e në interes të studimeve albanologjike.
“Për shqiptarët e këtij rajoni, të shtrirë në komunat e kësaj hapësire gjeografike, deri vonë dihej fare pak, madje edhe sot e kësaj dite për shumë shqiptarë është e pabesueshme se në komunën e Krushevës jetojnë mbi njëzet për qind shqiptarë.”, shkroi në përshtypjet e veta prof. dr.Vebi Bexheti pas përfundimit të kësaj konference, i cili më meritorët për këtë manifestim veçon kryetaren e Shoqatës “Etnoalb”, Bukurie Mustafën dhe profesorin Mustafa Ibrahimi, i cili është me origjinë pikërisht nga kjo trevë dhe udhëheq shoqatën tjetër, Alb-kult, që ka bashkëpunuar në edicionet e deritashme.

“Falë prof. dr. Mustafa Ibrahimit dhe intelektualëve tjerë të kësaj ane, që me kohë iu përkushtuan punës hulumtuese-shkencore për t’i ndruçuar këto vlera të krijuara gjatë shekujve dhe botimeve të kontributeve të tyre, që shërbyen si pika referenciale, nuk e patën vështirë edhe studiuesit e hapësirave tjera shqiptare, që në këtë konferencë t’i trajtonë disa nga këto vlera etnokulturore.
Revista “Zëri i Pelagonisë”, me themelues dhe kryeredakor, Mustafa Ibrahimin, për njëzet vite me radhë, nga viti 2002 e deri më sot ishte zëdhënësi i vërtetë i shqiptarëve të këtij rajoni” është shprehur Bexheti, i cili ne konferencën shkencore u paraqit me “Revista ZËRI I PELAGONSË për afirmimin e vlerave etnokulturore dhe folklorike të këtij rajoni”.

Vetë profesor Mustafë Ibrahimi përshtypjet e tij i ka përmbledhur në disa vazhdime në rrjetet sociale, duke mos fshehur ngazëllimin për këtë manifestim, i cili përfundoi edhe më bukur me koncertin më madhështor që është mbajtur ndonjëherë, në fshatin më të madh banuar me shqiptarë, Cërnilishtë që e dha Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare.

”Ky program kulturo – artistik do të ngelë model jo vetëm për nga mënyra e organizimit dhe përmbajtja e tij, por shpërfaqi në mënyrë madhështore dimensionin dhe identitetin tonë kombëtar dhe evropian. Iniciativa jonë me drejtorin Shkodran Tolaj dha rezultatet e pritura në kuadër të manifestimit “Takimet e Pelagonisë” që synohet të jetë aktivitet i përvitshëm dhe tradicional!”, thotë prof..Ibrahimi.

I tërë spektakli u përshkua me këngë dhe valle të fuqishme, falë një kombinimi midis: solistëve dhe orkestrës profesionale të Ansamblit, teknikës së shkëlqyeshme fonike përgatitur nga Arbëria Dizajn, moderimi i shkëlqyeshëm i Suela Demirit dhe publikut të mrekullueshëm.

Ky manifestim shërbeu edhe si rast për promovimin edhe të këngëtarëve vendas. Për këtë arsye në këtë koncert ishin ftuar si mysafirë special këngëtarët e njohur, si: Lindita Purellku, Zait Aliu, Feta Gjoleka dhe Grupi follklorik “Rreth oxhakut nga Velesi “Rreth oxhakut” me vëllezërit Jakupi. Të gjithë këngëtarët sollën frymën e melosit shqiptar, duke kultivuar muzikën e mirëfilltë.
Koncerti u mbyll me duartrokitje frenetike të publikut kur të gjithë pjesëmarrësit u ngjitën në skenë për të intepretuar bashkë me publikun himnin e pavdekshëm „Xhamadani“. Komuna e Dollnenit me kryetarin Urim Ibeski u kujdes për darkën e përbashkët me Ansamblit dhe miqve të ftuar. Më pas organizatorët ndanë mirënjohjet për më të merituarit për këtë “natë magjike” me të cilën përfunduan Takimet e 7-ta të Pellagonisë.

Manifestimi mund të realizohej vetëm me përkrahje insittucionale dhe të dashamirëve të artit dhe kulturës, siç është Ministria e Kulturës dhe një varg kompanish, fondacionesh e gjer te individëdashamirës.