Propozimi për miratimin e Rregullores së re të Kuvendit vazhdon në lexim të dytë

Kuvendi, në kuadër të vazhdimit të sotëm të Seancës Plenare të 127-të, ka përcaktuar
nevojën për miratimin e Rregullores së re, duke diskutuar mbi propozimin e parashtruar nga
Kryetari Talat Xhaferi, që praktikisht është produkt i punës shumëvjeçare të Grupit të Punës për
pjesëmarrjen në Dialogun “Zhan Mone”.

Kryetari Xhaferi, duke e arsyetuar Propozim-rregulloren nga foltorja e Kuvendit, tha se
është produkt i debatit që tashmë po zgjat pesë vjet, në dy përbërje të Kuvendit, dhe është shembull që dëshmon se dialogu politik në Kuvend mund të rezultojë me konsensus. Duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në procesin “Zhan Mone”, që është në partneritet me
Parlamentin Evropian, Kryetari Xhaferi theksoi se Rregullorja e re do të hyjë në fuqi nga
përbërja e ardhshme parlamentare. Me të, siç vlerësoi, pritet që të kapërcehet një pjesë e madhe e
sfidave me të cilat është përballur Kuvendi në vitet e fundit dhe veçanërisht në këto dy mandate.
Panço Minov, kryetar i Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit,
informoi se ky trup pune ka miratuar qëndrim unanim se ka nevojë për Rregullore të re dhe se
Kuvendi duhet të vazhdojë me miratimin e saj.

Kryetarja e Klubit të Deputeteve, Lolita Ristova, duke theksuar se miratimi i rregullores
së re është akt veçanërisht i rëndësishëm për Kuvendin, u angazhua për përmirësimin e mëtejmë
të dispozitave nga aspekti i përfaqësimit të barabartë gjinor në Dhomën Ligjvënëse. Andaj, ajo
vuri në dukje dispozitat për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit dhe përfaqësimin në trupat
punues.

Deputetja Gordana Siljanovska Davkova theksoi se është pozitive që propozimi është
dorëzuar në procedurë të rregullt dhe theksoi se gjatë debatit mbi amandamentet duhet t'i
kushtohet vëmendje një pjese të dispozitave të propozuara, në drejtim të përshtatjes së tyre me
Kushtetutën. Ajo gjithashtu theksoi se nevojitet avancim i mëtejshëm i mekanizmit të pyetjeve të
deputetëve.

Deputeti Fadil Zendeli tha se procedura për miratimin e Rregullores së re është ende në
vazhdim e sipër, kështu që ka ende hapësirë për përmirësim dhe saktësim shtesë të dispozitave,
ndërsa, siç tha ai, duhet të gjenden zgjidhje afatgjata për situata të caktuara me të cilat përballet
ky Parlament gjatë mandatit.

Deputeti Dimitar Apasiev tha se "E Majta" ka mbajtur qëndrim parimor për t'u tërhequr
nga procesi, sepse konsiderojnë se Rregullorja e Kuvendit është çështje që duhet të zgjidhet në
kuadër të Dhomës Ligjvënëse. Ai paralajmëroi amendamente në procedurën e mëtutjeshme për
miratimin e Rregullores.

Koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, vlerësoi se
pret që Rregullorja e re të kontribuojë në funksionalitetin më të madh të Dhomës Ligjvënëse.
Konfirmoi se zgjidhja e re përfshin shumicën e vërejtjeve që janë parë gjatë zbatimit praktik të
Rregullores së Kuvendit që janë në fuqi dhe tha se gjatë procesit të hartimit të gjithë
pjesëmarrësit janë nisur nga parimi se Rregullorja e re do të zbatohet nga përbërja e re
parlamentare.

Me 78 vota “për” dhe dy “të përmbajtur” nga deputetët e pranishëm, Propozim-
rregullorja sot e kaloi leximin e parë dhe kaloi në lexim të dytë si fazë tjetër e procedurës për
miratimin e saj, përkatësisht në diskutimin për amendamentet në Komisionin për Çështje të
Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, e më pas edhe në seancën plenare, në lexim të dytë.