Xhaferi: Është koha e duhur që të gjitha partitë politike të dëshmojnë me vepra se janë pro-europiane

Pas 17 viteve pritje, po hyjmë në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit. E filluam skriningun me Bashkimin Evropian dhe tashmë gjendemi në fazë të avancuar, ndërsa të gjitha raportet e deritanishme janë pozitive. Para nesh kemi edhe një sfidë, ndërsa ajo është ndryshimi i Kushtetutës me qëllim që të vazhdojmë me bisedimet për Klasterë, për të cilat presim se do të vendosin tempo të përshpejtuar të reformave. Vlerësoj se tani është koha e vërtetë që të gjitha partitë politike të cilat në programet e tyre angazhohen për integrim evropian, ta demonstrojnë përkushtimin e tyre edhe në vepër.

Këtë e theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në fjalimin hyrës në hapjen e Konferencës për Dialogun Ndërparlamentar për avancim të mëtutjeshëm të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor, që shtëpia ligjvënëse e organizon bashkë me APKE-në. Kuvendi, theksoi ai, është institucioni kyç për demokratizimin e shoqërisë dhe të gjitha aktivitetet në vete e përmbajnë dimensionin parlamentar. Përmes saj shprehet vullneti i qytetarëve dhe bëhet mbikëqyrje dhe kontroll i pushtetit ekzekutiv në planin e brendshëm dhe të jashtëm.

“Punojmë me përkushtim në harmonizimin me legjislacionin evropian në sferën e të drejtave të njeriut, demokraci dhe sundimin e drejtësisë për përmbushjen e aspiratës së qytetarëve për integrim në Bashkimin Evropian. Në këtë rrugë tonën, Këshilli i Evropës është partneri i ynë i çmuar dhe mbështetje e fuqishme”, tha Xhaferi.

Paralelisht me përmbushjen e agjendës evropiane, si vend angazhohemi të mbetemi shembull pozitiv për marrëdhëniet e mira fqinjësore përmes krijimit të partneriteteve afatgjate. Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe roli aktiv në bashkëpunimin rajonal, shtoi ai, janë përcaktimi ynë afatgjat strategjik ndëra konfirmim për angazhimet tona për avancim të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët përmes dialogut, mirëkuptimit dhe kompromisit.

Ai nënvizoi se Republika e Maqedonisë së Veriut, si kryesuese e Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE), jep kontribut edhe në zgjidhjen e çështjeve me interes global në kët kohëra të turbullta.

“Besoj se do të pajtoheni se ndryshimet gjeopolitike në kontinentin evropian kanë konfirmuar se politika e zgjerimit mbetet mjeti më i mirë për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin. Prandaj i bëj thirrje Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të Unionit që të vazhdojnë të mbështesin në mënyrë proaktive dhe vendosmërisht procesin integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke pasur parasysh progresin e bërë në zbatimin e reformave kyçe, ne kemi nevojë për dialog të rregullt të ndërsjellë me Unionin dhe një afat kohor të qartë për dhënien e anëtarësimit si njohje të asaj që është arritur deri më tani. Unë besoj se vonesa e mëtejshme e procesit të anëtarësimit mund të vërë në pikëpyetje imazhin e Unionit si një partner i besueshëm dhe rolin e tij udhëheqës gjeopolitik. Kjo lë hapësirë ​​për shfaqjen e proceseve nacionaliste dhe retrograde dhe inkurajimin e palëve të treta për të forcuar interesin e tyre në rajon”, theksoi Xhaferi.

Ai e përshëndeti ndarjen e statusit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, dhe vlerësoi se perspektiva e qartë evropiane dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është me interes të madh për Unionin nga aspekti politik, i sigurisë dhe ekonomik.

“Ne duhet të përballemi me sfidat e përbashkëta si kërcënimet hibride dhe të sigurisë dhe ndryshimet klimatike së bashku, në mënyrë që të ndërtojmë shoqëri më elastike në këtë kontekst. Prandaj për ne është e rëndësishme që në Bashkimin Evropian, pavarësisht rrethanave komplekse, të dominojë vendosmëria për të vazhduar zgjerimin si projekt unifikues, i bazuar në vlerat autentike evropiane. Dua të përshëndes edhe përpjekjet dhe thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në kuadër të partneritetit strategjik me Bashkimin Evropian, për të forcuar dialogun e ndërsjellë politik për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor” , tha kryetari i Kuvendit Xhaferi.

Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tini Koks theksoi se KE do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut për arritjen e rezultateve në reforma.

Në hapjen e konferencës foli edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, si dhe Zolt Nemet, kryetar i Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Ngjarja rajonale, që organizohet bashkërisht nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka për qëllim t’u ofrojë parlamentarëve nga rajoni platformë të gjerë për bashkëpunim dhe dialog për të diskutuar sfidat me të cilat përballen, si dhe praktikat e mira drejt integrimit evropian