Hill: Herët të themi se dialogu Kosovë-Serbi është i pasuksesshëm

4 mins read

Për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, është “shumë herët” të thuhet se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “është i pasuksesshëm”.

Këto komente, Hill i bëri në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, duke komentuar takimin e liderëve evropianë, fillimisht me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel.

Hill ka thënë se nga këto takime nuk e priste “suksesin e plotë”, mirëpo pritja e tij ishte kthimi në tavolinën e bisedimeve.

“Por, sigurisht, kam pritur ca përpjekje për t’u kthyer në elementet thelbësore të dialogut. Në këtë kuptim, ka qenë një takim i rëndësishëm, të dyja palët kanë qenë në takim. Kështu që, do të shohim. Tani për tani, megjithatë, është e qartë se nuk i ka zgjidhur të gjitha problemet që mbeten në dialog”, deklaroi Hill.

Synimi i dialogut, në këtë rast atij mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për diplomatin amerikan, është një zgjidhje politike që pret “dhënie e marrje” nga të dyja palët.

“A mund të arrijmë një situatë ku serbët në Kosovë të ndihen rehat dhe të kenë një lloj Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe. Dhe së dyti, a mund të arrijë Prishtina atë që dëshiron, që është një rrugë e qartë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, potencoi Hill.

“Këto janë çështje komplekse, probleme të vështira, sigurisht të trashëguara. Por, gjithashtu, shpresoj se do të ketë një frymëzim për të ardhmen. Është shumë herët për të pretenduar se ky është dështim. Le të shohim se si shkon prej këtu”, shtoi.

Ai theksoi se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit është një pengesë e madhe për dialogun mes palëve, teksa tha se shteti që ai përfaqëson është duke i monitoruar nga afër hetimet në Prishtinë dhe Beograd për këtë çështje.

“Fokusi është të zbulohet saktësisht se çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës. Dhe së fundi, të krijohen rrethana, ku kjo nuk mund të ndodhë më”, pohoi.

Të enjten e 26 tetorit në Bruksel Kosova e ka pranuar draftin e propozuar nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe përmes një deklarate pas takimit është shprehur e gatshme edhe që ta nënshkruajë pranimin e draftit, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një deklarim para gazetarëve ka thënë se edhe Serbia është pro atij drafti të propozuar nga pesëshja e top-diplomatëve që vizituan Prishtinën dhe Beogradin me 21 tetor.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës pas takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, konstatohet se Kurti ka deklaruar që “pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.

Neni 7 i Marrëveshjes Bazike të pranuar me 27 shkurt thotë se Kosova dhe Serbia “pajtohen që të sigurojnë një nivel të përshtatshëm të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë… përfshirë edhe financim nga Serbia dhe kanal direkt komunikimi me Qeverinë e Kosovës”.

Kurse neni 10 i Marrëveshjes thotë se “të dyja palët konfirmojnë zbatimin e obligimeve nga Marrëveshjet e kaluara të dialogut”, që nënkupton zbatimin edhe të Marrëveshjes së vitit 2013 ku shpaloset për herë të parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Ndërsa Vuçiç u kumtoi gazetarëve pas takimit se për statutin e Asociacionit të propozuar nga bashkësia ndërkombëtare me 21 tetor “Serbia është e gatshme të punojë në të dhe të fillojë menjëherë zbatimin e tij”.

Përkundër se drafti i statutit nuk është bërë akoma publik zyrtarisht, 26 tetori shënon herën e parë që Kosova dhe Serbia janë në pajtim për të njëjtin draft për Asociacionin.

Pas takimit pati një adresim edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili njoftoi se palëve iu prezantua “një model serioz evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” dhe një plan për avancimin përpara.

Palët, siç tha Borrell, kanë pasur parakushte për planin përpara, “por ne do të insistojmë në një pajtim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.