Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë një apel dramatik për të ndaluar “çmendurinë” e ndryshimeve klimatike, gjatë një vizite në Himalaje, ku akullnajat po shkrihen me një ritëm alarmant.
Guterres ka vizituar rajonin e Everestit në Nepal, ku ka parë me sytë e tij pasojat e ngrohjes globale. Ai ka thënë se Nepal ka humbur rreth një të tretën e akullit në 30 vitet e fundit dhe se kjo ka pasoja të rënda për furnizimin me ujë të mbi një miliard njerëzve që varen nga akullnajat e Himalajeve.
Ai ka shtuar se bota është ngrohur me 1.2 gradë Celsius qysh nga fillimi i revolucionit industrial dhe se kjo ka shkaktuar fenomene ekstreme si valët e të nxehtit dhe thatësirat. Ai ka theksuar se duhet të përfundojë epoka e përdorimit të karburanteve fosile dhe të veprohet menjëherë për të mbrojtur njerëzit dhe planetin. Ai ka thënë se më të goditurit nga ndryshimet klimatike janë vendet më të varfra, që kanë kontribuar më pak në emetimet e gazrave sere.
“Unë jam këtu sot në tavanin e botës për të thënë: ndaloni çmendurinë”, tha Guterres gjatë vizitës në fshatin Siangboç të Everestit.