Bujar Osmani për vizitë zyrtare në Kazakistan, do të takojë krerët shtetëror

Në kuadër të vizitës në Azinë Qendrore, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, nesër do të qëndrojë në Astana të Kazakistanit, njoftojnë nga MPJ.

Osmani, theksojnë nga atje, do të takohet me Presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, ndërsa me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Murat Nurtleu përveç se do të takohet do të mbajnë edhe konferencë të përbashkët për media.

Po ashtu, Kryesuesi Osmani do të ketë takime edhe me Ministren e Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore, Zulfiya Suleimenova dhe Kryetarin e Senatit të Parlamentit të Kazakistanit, Maulen Ashimbaev.

Në Astana, Osmani do të takohet edhe me përfaqësues të organizatave civile, si dhe do ta vizitojë edhe Zyrën e programeve të OSBE-së në Astana për t’u njohur nga afër me aktivitetet dhe projektet që OSBE-ja i realizon në Kazakistan.