Situata në Hawaii e rëndë, humbin jetën 36 persona! Turistët braktisin vendin

Situata në Hawai është tepër e rëndë për shkak të zjarreve masive që kanë përfshirë vendin, ndërsa deri më tani janë regjistruar të paktën 36 viktima.

Më i goditur mbetet ishulli Maui, ku qyteti historik Lahainas është shkrumbuar i gjithi nga flakët tashmë të pakontrollueshme. Spitalet në ishull janë të mbingarkuara me pacientë të djegur dhe persona që kanë probleme me frymëmarrjen si pasojë e tymit.

Flakët janë përhapur më shpejt nga erërat e forta, të cilat kanë shkatërruar qindra ndërtesa dhe djegur shumë zona.

Mijëra persona janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre, pasi në zonën e zjarreve është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Mediat vendase raportuan se disa persona u hodhën në oqean për t’u shpëtuar flakëve që përhapeshin me shpejtësi.

Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke vijuar punën për të gjetur shumë persona të zhdukur, fati i të cilëve nuk dihet.

Ndërkohë turistët janë larguar të alarmuar për shkak të situatës së rëndë, ndërsa vizitorëve që pritej të mbërrinin në ishull iu bë thirrje për anulimin e pushimeve.

Zjarrfikësit janë ende në luftë me zjarret, ndërsa helikopterët janë duke hedhur ujë nga lartësia.