Pa maliciozitet, ju lutemi!

Gjatë shënimit të 22-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit kaloi, u bë çka u bë, u tha çka u tha dhe para se ta lëmë të rrjedhë jeta me normalitetin e saj, nuk bën pa i lënë pa përgjigje disa vërejtje a kritika aktiviteteteve që u organizuan. Në të vërtetë, nuk ishin shumë dhe shumëkush do të thoshte se te thjeshtësia, fshihet madhështia.

Pikërisht rrëgjimi i përvjetorëve pompozë në suaza më modeste, siç ishte rasti me Shkollën për Liderë të Rinj dhe organizimin e një koncerti me yje të estradës shqiptare në Sheshin Skënderbeu, tregon një ndërrim koncepti, apo promovim të një filosofie të re të shënimit, me diçka të vyeshme dhe me diçka të bukur. E vyeshme ishte Shkolla për Liderë të Rinj që dy vjet radhazi po mbahet në Mavrovë dhe e bukura, që mbahet po ashtu për herë të dytë, Peace Festival-i në Sheshin Skënderbeu.

Mirëpo, edhe për këtë formë të reduktuar të shënimit, ka të tillë që i gjetën behane dhe këtë e shprehën në rrjetet sociale, siç thuhet, duke çelë tema pa temë.

Të kritikosh këto lloj aktivitetesh, pyetja kryesore që duhet të shtrosh është: çka ka të keqe këtu? Te paratë ndoshta? Një trajnim i shkurtër ku trajtohen tema të rëndësishme, me 70-80 pjesëmarrës me dy fjetje, edhe nuk mund të ketë kosto të lartë(në para), por mund të jetë tepër i dobishëm për ngritjen profesionale të pjesëmarrësve të rinj në të. Ndërkaq, një koncert me motiv paqen dhe mirëkuptimin, përmes këngës, vetëm mund të sjellë një relaksim dhe një mbrëmje të bukur, për këtë përvjetor të bukur dhe për të dhënë simbolikën e shikimit përpara, në ardhmëri.

Malicioziteti ballkanik në shekullin e 21-të duhet tejkaluar. Sepse, në kritikat që janë dhënë nuk është e qartë nëse nuk u pëlqejnë përmbajtjet e ofruara për 22 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, apo pse nuk u pëlqej porositësi?! Duket se në pyetje është kjo e dyta dhe duke qenë ashtu, i bën qesharakë disa, siç ishte një ish-ministër, tash opozitar të “distancohet” nga koncerti “dekadent”, pa e parë nëse vërtet është i tillë apo jo. Ndoshta iu duk “trendi” të bëjë analogji me një koncert tjetër në Kosovë me lakuriqësi e vulgatitete, por a mund të ishte Peace Festival-i i përshtatshëm për aludime të tilla as para koncertit, e as pas mbatjes së tij, në një atmosferë të ngrohtë e të paharrueshme të dielën mbrëma. Një koncert krejtësisht normal, me këngëtarët normalë që rinia i dëgjon çdo ditë në Youtube, me këngë normale, por në një atmosferë spektakulare ku publiku këndonte bashkë me këngëtarët.

Me fjalë tjera, duke mos pasur argumente për të konstestuar diçka qenësore, kritikuesit hodhën gurë e dru mbi përvjetorin, vetëm sa për të thënë diçka, vetëm sa për të arsyetuar pozitën e tyre opozitare ose kundërshtuese, ndoshta edhe pse ata vetë nuk janë në një pozitë të tillë për të organizuar.

Por kjo nuk i arsyeton kritikat e tyre kuturu e pa argumente.