Zjarret në Hawaii kanë marrë të paktën 99 jetë, me qindra të zhdukur

Të paktën 99 njerëz kanë vdekur nga zjarret në Hawaii, tha guvernatori Josh Green, duke shtuar se numri i të vdekurve mund të jetë dukshëm më i lartë. Këto zjarre janë më vdekjeprurësit në Shtetet e Bashkuara në 100 vitet e fundit, raportoi The Guardian.

Qindra njerëz janë ende të zhdukur ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë me flakët dhe ekipet e shpëtimit analizojnë mbetjet e qytetit historik të Lahaina. Green tha se shkalla e dëmtimit të zjarrit ishte “e pabesueshme”. Zjarri shkatërroi pothuajse të gjitha ndërtesat në qytetin me 13 mijë banorë. Me më shumë se 2,700 struktura të dëmtuara ose të shkatërruara dhe më shumë se 2,100 hektarë tokë të djegur, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave vlerësoi koston e rindërtimit të Lahaina në 5.5 miliardë dollarë. Banorët e Lahaina lejohen të kthehen në qytet.

Green tha për CBS News se zyrtarët presin të gjejnë midis 10 dhe 20 njerëz në ditë gjatë javës së ardhshme e gjysmë. “Ndërsa shërbimi i telefonisë celulare po rikthehet ngadalë, numri i të zhdukurve ka rënë në rreth 1,300 nga më shumë se 2,000,” tha Green.

Këto janë zjarret më vdekjeprurëse që nga viti 1918, kur 453 njerëz vdiqën në një zjarr në Minesota dhe Wisconsin, sipas Shoqatës Kombëtare të Mbrojtjes nga Zjarri (NFPA). Shkaku i zjarrit është ende nën hetim. Ish-presidenti amerikan Barack Obama, i lindur në Hawaii, u shfaq në një video të dielën duke promovuar përpjekjet për mbledhjen e fondeve për rindërtimin pas zjarreve.